Komisioni për të Drejtat e Njeriut në finalizim të Ligjit të Mbrojtjes nga Diskriminimi

Prishtinë | 06 Kor 2018 | 14:17 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka mbajtur Dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Anëtarja e komisionit, Luljeta Veselaj-Gutaj, tha se si komision kanë shkuar në komuna të ndryshme të vendit për të parë nga afër pengesat dhe sfidat që kanë secila komunë në mbrojtjen nga diskriminimi.

“Ne jemi në finalizim të Ligjit të Mbrojtjes nga Diskriminimi, kemi realizu vizita në komuna dhe institucione qendrore dhe lokale. Sipas planit të veprimit të mbikëqyrjes së këtij ligji, ne kemi parë nga afër se cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohen këto institucione”, tha Gutaj.

Arbenita Berani, nga Zyra për Qeverisje e Mirë, tregoi për rekomandimet dhe punën që kryen ky institucion për ta bërë më të lehtë të zbatueshëm këtë ligj, raporton Ekonomia Online.

Ajo tregoi që kjo zyrë është duke punuar për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit të komunitetit LGBTI, ku në nivel qeverie është një këshill për këtë komunitet ku diskutohen të drejtat e tyre.

Merita Syla, drejtoreshë në departamentin për Mbrojtje nga Diskriminimi në Avokatin e Popullit, tregoi për punën e institucionit dhe angazhimin e Avokatit të Popullit në luftën kundër diskriminimit.

“Avokati i Popullit ka qenë pjesë e shumë aktiviteteve. Duke filluar që nga dhjetori 2017 ka lidhur një marrëveshje memorandumi me organizata joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe është obligim ligjor që avokati të ketë bashkëpunime me OJQ-të në bazë të kësaj fryme për mbrojtjen nga diskriminimi”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se Institucioni i Avokatit të Popullit është i përkushtuar edhe me komunitetin LGBTI që t’u trajtohen të drejtat e tyre si qytetarët e tjerë.

Agjencia për Barazi Gjinore, Edi Gucia, tha se agjencia ka pasur një sërë fushatash vetëdijësuese për barazi gjinore dhe se është kërkuar që edhe kur të propozohen aktet ligjore të shikohet edhe ndikimi i atyre akteve në jetën e dy gjinive.

“Gjitha institucionet e Republikës së Kosovës nga viti 2018 kur të propozohet një akt ligjor duhet të bëhet vlerësimi se si ndikojë ai ligj në jetën e burrave dhe të grave në Kosovë”, tha Gucia.

Ndërsa këshilltari politik i kryeministrit, Jahja Lluka, tha se zyra e kryeministrit është duke punuar që të mos diskriminohen të drejtat e qytetarëve, me theks të veçantë janë të fokusuar në të drejtat e të verbërve dhe personat me aftësi të veçanta.

Të ngjashme