Komisioni Qeveritar sqaron se çka po heton Avokati i Popullit

Prishtinë | 13 Nën 2019 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës është në dijeni për dy ankesat e potencuar në artikullin e Kohës Ditore, të dorëzuara vitin e kaluar tek Avokati i Popullit.

Me qëllim të adresimit të kësaj çështje dhe sqarimit lidhur me këto ankesa, Komisioni Qeveritar së bashku me OJQ-të e licencuara nga MPMS për mbështetjen e viktimave në procesin e aplikimit, në mars të këtij viti ka mbajtur një takim të përbashkët me Avokatin e Popullit.

Komisioni Qeveritar me këtë rast e ka njoftuar Avokatin e Popullit për arsyet e përdorimit të formatit të Vendimit, i cili nuk përmban arsyetim, për shkak se Komisioni në qendër të punës së tij ka ruajtjen e konfidencialitetit të plotë të të mbijetuarve dhe garantimin e të drejtave pa cenuar dinjitetin e tyre. Megjithatë, Komisioni sipas rekomandimeve të përbashkëta me Avokatin e Popullit ka bërë ndryshimet e nevojshme në formatin e Vendimit për refuzim të kërkesës për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, pa cenuar konfidencialitetin dhe të dhënat personale të palës.

“Në zbatim të këtyre rekomandimeve, Komisioni Qeveritar më datë 31 Maj 2019 ka miratuar Udhëzuesin për rishqyrtimin e kërkesave për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës”, i cili përmban formën e re të Vendimit për refuzim të njohjes së statusit me arsyetim.

Për njoftim të opinionit, arsyetimi i vendimit përmban në mënyrë të shkurtër kërkesën e palës, shpjegimin e situatës faktike mbi të cilin është marrë vendimi, shkaqet që kanë qenë vendimtare gjatë vlerësimit të provave, bazën ligjore të vendimit dhe arsyen pse është e zbatueshme në rastin konkret, si dhe shkaqet për të cilat nuk është pranuar ndonjëri nga pretendimet e palës. Udhëzuesi është përgatitur në pajtim me dispozitat e Ligjit nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Kjo formë e arsyetimit aplikohet që nga data e hyrjes në fuqi të Udhëzuesit të lartpërmendur.

Për më tepër, Komisioni është i bindur dhe garanton se ky arsyetim vazhdon të ruaj konfidencialitetin dhe të dhënat personale të palës, duke mos ofruar informacione të cilat mund të zbulojnë identitetin e tij/saj. Lidhur me çështjen e dytë të cilën artikulli e potencon: “në rast të refuzimit ka të drejtën e paraqitjes së kërkesës për rishqyrtim të vendimit te Komisioni i njëjtë”, Komisioni Qeveritar bën me dije që lidhur me këto raste zbaton nenin 31 të Rregullores QRK NR. 22/2015 për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më datë 30.12.2015. Neni 31 paragrafi 1 dhe 2 i Rregullores, përcakton: “1. Nëse ndonjëri nga aplikuesit ka prova të reja apo mendon se i është bërë e padrejtë, mund t’i drejtohet Komisionit për rishqyrtimin e kërkesës. 2. Rishqyrtimi i kërkesës së aplikuesve bëhet nga Komisioni”.

Një përcaktim i tillë në Rregulloren në fjalë, përkitazi me shqyrtimin e kërkesave për rishqyrtim nga Komisioni i njëjtë, është vendosur në pajtim me të gjithë akterët e këtij procesi, dhe në frymën e respektimit të të drejtave të viktimave për ruajtjen e konfidencialitetit dhe të dhënave personale brenda këtij Komisioni.

Megjithatë, përcaktimi në këtë Rregullore i mundëson palës që t’i drejtohet gjykatës kompetente me ankesë.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme