Kompanitë e taksive thyejnë ligjet, krijojnë monopol në Prishtinë

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 15:50 | Nga

Kompanitë e taksive në Prishtinë kanë krijuar një rreth oligopoli, duke shkelur ligjin e konkurrencës për treg të lirë në këtë sektor.

Këto kompani kanë caktuar normat e fitimit, përfshirë edhe startin e nisjes, dhe sipas njohësve të zhvillimeve ekonomike, ky biznes po i thyen ligjet për një treg të lirë dhe transparent.

Caktimi i përfitimeve nga këto kompani për punëtorët e tyre prej 27 për qind nga të hyrat, po konsiderohet shkelje flagrante e konkurrencës së lirë, por edhe krijim i monopolit në sektorin e taksive, që po godet kryesisht qytetarët.

Valdrin Dervishaj, nga Forumi për Politika Zhvillimore, ka thënë se veprimet e kompanive të taksive në Kosovë e në veçanti në Prishtinë janë një oligopol, i cili e pengon zhvillimin e këtij sektori të shërbimeve.

“Ky oligopol vepron në atë drejtim duke përcaktuar çmimin e shërbimit si dhe koston e shërbimit. Caktimi i çmimit të shërbimit e mbytë konkurrencën dhe ashpërson gjasat për qasje të operatorëve të ri ekonomik në treg. Përpos kësaj marrëveshja në mes të kompanive në lidhje më pagesat e punonjësve është edhe një dëshmi e pengimit të konkurrencës së lirë dhe pengon zhvillimin e këtij sektori të shërbimeve”, ka thënë Dervishaj për RTKlive.

Sipas tij, marrëveshjet e tilla pengojnë zhvillimin e konkurrencës në punësim duke u bazuar në shkathtësi dhe konkurrencë.

“Në këtë rast edhe shtohet rreziku i shkeljes së të drejtave të punëtorëve të këtyre kompanive. Efektet negative të këtij oligopoli shtrihen edhe në sektorët tjerë ekonomik duke marrë për bazë restrikcionet në fushën e marketingut dhe zhvillimit të produktit që arrin si pasojë ë oligopolit. Pra më saktë, kjo formë e operimit ekonomik i konvenon vetëm pronarëve të kompanive”, ka thënë Dervishaj.

Por, Enis Shatri zyrtar i lartë ligjor në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK), ka thënë se në lidhje me shumën prej 27 për qind të shumës të mbledhura nga shoferët e taksive në komunën e Prishtinës, AKK-ja nuk ka pranuar asnjë ankesë nga palët e interesuara dhe si pasojë e kësaj, po ashtu as Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim, apo fillimin e hetimit për këtë rast.

Ai ka thënë për RTKlive se nëse ka dyshim se është marrëveshje e ndaluar apo praktike e bashkërenduar e kompanive të taksive në lidhje me shumën e pagesës për shoferët e taksive, duhet të ketë kërkesë nga ndonjë aktorë.

Ndryshe LIGJI Nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, parasheh shumë qartë se “Neni 4, parasheh se është Marrëveshjet e ndaluara”.

“Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”, thuhet në Ligjin për Konkurrencën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme