Komuna e harron e Pallatin e Rinisë pasi e morri në dorë

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Me gjithë zhurmën e krijuar ndër vite, Komuna e Prishtinës ka arritur ta marrë menaxhimin e Pallatit të Rinisë nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP). Krejt çka ka mbetur është që të realizohen premtimet e bëra nga Shpend Ahmeti.

Mirëpo, në gjendjen në të cilën ndodhet tani kjo ndërmarrje, duket se do shumë kohë deri sa të kthehet në normale. Rryma, uji, ngrohja,  janë vetëm disa nga problemet që ka objekti 41-vjeçar i kryeqytetit. 104 punëtorë sa janë aty, kanë mbetur pa paga tash e dy muaj, ata thonë  se komuna s’do t’ia dijë për ta e as për objektin.

Sot Pallati i Rinisë është mbuluar nga errësira, kjo për shkak të borxhit që ka ndaj KEDS-it. Deri te ky borxh ka ardhur si pasojë e kalimit të kompetencave nga AKP-ja në Komunën e Prishtinës dhe lënies në gjendje të rëndë të këtij objekti.

Rreth 140 lokale sa janë në Pallatin e Rinisë nuk po kanë ku ta paguajnë qiranë, për shkak se kur komuna e ka marrë këtë ndërmarrje nën menaxhimin e saj, xhirollogaria që Pallati i Rinisë e ka pasur me AKP’në është mbyllur.

Fazli Gashi, arkëtar në Pallatin e Rinisë, ka thënë për Express se ekziston një xhirollogari e vjetër e ndërmarrjes, por komuna nuk po jep leje për ta përdorur, pasi ka probleme me përmbaruesit të cilët janë dëmtuar kur është djegur salla e madhe e këtij objekti.

“Në Pallatin e Rinisë punoj që nga viti 1980. Qe dy muaj ky vend ka rënë në zero. Qiraxhinjtë nuk po kanë ku ta paguajnë qiranë, sepse nuk kemi xhirollogari. Komuna e ka marrë menaxhimin me marrëveshje, që do të thotë se është e obliguar t’i paguajë borxhet”, është shprehur Gashi.

Ndërsa një punëtor tjetër thotë se komuna nuk po interesohet aspak për problemet e ndërmarrjes.

“Prej komunës s’kemi asnjë vizitë. I kemi thirrur sot me i lajmërua që nuk kemi rrymë por asgjë nuk po bëjnë. AKP-ja ka bërë çfarë ka dashur në këtë vend”, ka thënë Ajet Thaçi.

Punëtorët thonë se Pallati i Rinisë vet menaxhohet, me paratë nga qiratë e lokaleve i sigurojnë pagat dhe investojnë në rastet kur ka nevojë, mirëpo tani 104 punëtorë kanë mbetur pa paga tash e dy muaj.

Se AKP-ja nuk ka menaxhuar mirë me Pallatin e Rinisë thotë edhe një furnitor i cili e ka furnizuar këtë objekt me materiale ndriçimi, por paga nuk i është kryer.

“E kam furnizu me material ndriçimi Pallatin e Rinisë. Janë ndriçuar sallat dhe korridoret, por që nga marsi kur është bërë kjo, unë nuk i kam marrë paratë e mia në shumën prej 4350 eurosh”, ka thënë Razmi Raçi.

Komuna e Prishtinës, të hënën i ka thënë Expressit se do të rinovohet objekti, më saktësisht salla që është djegur në vitin 2000.

“Do të bëhet renovimi i sallës së djegur, si dhe përfundimi i tërë projektit, për shkak se siç dihet, projekti i ndërtimit të Pallatit të Rinisë është realizuar vetëm 80% atëherë. Do të funksionojë si ndërmarrje publike komunale, përmes komisionit të aksionarëve dhe bordit”, ka thënë Adonis Tahiri, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës.

Mirëpo, Express sot gjatë ditës ka tentuar të marrë një përgjigje nga komuna për borxhet dhe problemet me rrymën, mirëpo Miranda Mullafazliu, Zëdhënëse e Komunës së Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë.

Se Pallati i Rinisë nuk është në gjendje të mirë, e ka pohuar edhe Eman Rrahmani, asamblist në Komunën e Prishtinës nga partia Vetëvendosje. Ai ka thënë se vështirë se do të bëhet zgjidhje shpejtë me këtë ndërmarrje.

“Komuna e Prishtinës nuk është në gjendje të krijojë kompani fitimprurëse. Të gjitha ndërmarrjet publike janë në gjendje të njëjtë, prandaj besoj se kështu do të ndodhë edhe me Pallatin e Rinisë. Nuk mund ta aktivizojnë xhirollogarinë, sepse në momentin që bëhet kjo përmbaruesit do t’i marrin mjetet para se t’u dalin pagat punëtorëve, prandaj mendoj që do të ketë probleme. Ata që janë dëmtuar nga djegia e kanë paditur Pallatin e Rinisë për dëmet e shkaktuara”, ka thënë Rrahmani.

Drejtori Menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Ekrem Hajdari, së bashku me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar marrëveshjen për pranim-dorëzim të “Qendrës Shoqërore Sportive, Kulturore dhe Ekonomike” Pallati i Rinisë, në muajin shtator, e prej atëherë, komuna nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të përmirësuar gjendjen e objektit e as të punonjësve që ndodhen aty

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme