Komuna e Obiliqit shënon 22 vjetorin e çlirimit

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Obiliqit ka shënuar sot 22 vjetorin e çlirimit.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se kjo datë historike e çlirimit të Obiliqit ngërthen në vete përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për liri e pavarësi, heroizmin dhe sakrificën deri në vetëflijim të familjes Jashari, e të djemëve e vajzave të Obiliqit që bashkuan pushkët e tyre me pushkën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Sot, kur Obiliqi po shënon 22 vjetorin e çlirimit dhe 13 vite nga shpallja e Pavaresisë,si qytet po shënon progres në zhvillimin e tij infrastrukturor, ekonomik dhe social, fal angazhimit tonë të përbashkët, bashkëpunimit të mirëfilltë me qytetarët e Obiliqit kemi arritur realizimin e projekteve madhore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarit, njëkohësisht u shpreha se është bërë shumë për këto vite, por e di se ka edhe shumë për të bërë, vullneti e puna jonë e përbashkët është e pandalshmë sepse ky është nderi më i madh që mund të ju bëjmë atyre që u flijuan për çlirimin e qytetit tonë dhe është obligim i ynë për brezat që do të vijnë pas nesh”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, nga Komuna e Obiliqit kanë ndarë mirënjohje për familjarët e dëshmorëve të kësaj komune.

“Komuna e Obiliqit ndau mirënjohje për familjarët e dëshmorëve të komunës së Obiliqit për sakrificën e shenjtë të luftës çlirimtare, atdhetarë të shquar të çështjes kombëtare, artitektit të Pavarësisë Dr.Ibrahim Rugova, heroit të Kombit Xhavit Haziri, heroi të Kombit Fahri Fazliu, intelektualit dhe veprimarit Ismail Dumoshi, veprimtarëve dhe doktorëve të shkencave,për artistën/sopranon znj.Adelina Paloja, për sportistin z.Eroll Salihu në përfaqësimin dhe promovimin e qytetit të Obiliqit, për kontributin në teater z.Miftar Mehana. Mirënjohje u nda edhe për punëtoren e vitit 2021 në administratën komunale, znj.Suzana Hashani, e cila për 30 vite dha kontribut të jashtëzakonshëm në shërbimin e qytetarëve të Obiliqit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Obiliqit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme