Komuna e Prishtinës bën progres në largimin e deponive ilegale, nga 145 në 17 bie numri i tyre

Prishtinë | 17 Jan 2021 | 08:11 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Numri i deponive ilegale në Komunën e Prishtinës ka rënë, nga 145 sa ishin vitin e kaluara, tashmë kanë mbetur 17. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, Drejtoresha e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha.

Braha mes tjerash ka theksuar se vitin e kaluar është bërë punë e madhe sa i përket largimit të deponive ilegale në kryeqytet.

Ajo tutje ka sqaruar se një numër i deponive ilegale krijohen në pronat private të cilat nuk shfrytëzohen apo nuk kontrollohen nga pronarët.

“Deponitë ilegale është diçka që janë krijuar kohë më parë dhe në disa vende rikrijohen fatkeqësisht, mirëpo si Drejtori e Shërbimeve Publike kemi bërë një punë të jashtëzakonshme vitin e kaluar ku nga 145 deponi ilegale që kanë qenë i kemi larguar fillimisht 125, ka ra numri në 20, pastaj kemi vazhduar edhe me dy tjera të mesme dhe një të madhe dhe deri në fund të vitit e kemi ulur numrin në 17, nga 145 deponi ilegale kemi rënë në 17. Në vende ku ka mundësi e rrethojmë hapësirën me dhe tash e kemi filluar një kontratë edhe në vendet ku është e mundshme të rrethohet edhe me rrethoja, por me deponi ilegale është që disa qytetarë që janë të papërgjegjshëm hedhin kudo mbeturina nëpër rrugë dhe nëse është një rrugë disa kilometrash është e pamundur që të rrethohet e tëra dhe ato pjesë paraqesin probleme”.

“Një numër i madh i deponive ilegale krijohen edhe në prona private të cilat nuk janë duke u shfrytëzuar nga pronarët dhe nuk kontrollohen shpesh nga këta dhe është një problem që ka të bëjë me vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e një ambient të pastër”.

Braha ka folur edhe për pritoret në stacionet e autobusëve në kryeqytet. Ajo ka thënë për Ekonomia Online se janë duke shikuar mundësinë për ndërhyrje në pritore në mënyrë që të bëhen më të përshtatshme për qytetarët në raste kur ka reshje shiu dhe bore.

“Pritoret kanë qenë një projekt, tash i përgatitur më herët mirëpo që pas një kohe e kemi parë që kërkesat e qytetarëve kanë qenë të ketë edhe një xham shtesë dhe të jenë më të përshtatshme për periudha kur ka erëra ose shi dhe jemi duke shikuar mundësitë se si tash ato të përmirësohen në atë drejtim”.

Por, mirëmbajtja e ndriçimit ka qenë një prej problemeve që e ka përcjellë komunën e Prishtinës, thotë Braha.

Ajo ka thënë sapo të nënshkruhet kontrata do të angazhohen 6 operatorë në gjashtë rajone të ndryshme të komunës së Prishtinës.

“Mirëmbajtja e ndriçimit është një problem që na ka përcjellë këtë vite për shkak se të gjitha komunat janë tenderuar me vonesë për shkak mos kalimit të buxhetit në vitin 2020 pastaj kemi pasur një vendim nga KRPK-ja për shtyrjen ose mos shpalljen e tenderëve gjatë kohës së pandemisë dhe pasi që janë shpallur ka pasur ankesa edhe është anuluar tenderi është rishpallur ka filluar të gjitha procedurat e tenderimit prapë ka pasur ankesa dhe ju është kthyer përgjigjja nga zyra jonë e prokurimit dhe tash është një afat disa ditor se a do të ketë pagesa OShP atëherë brenda pak ditës do të rishqyrtohet kontrata dhe do të fillojmë me ndërhyrjet në të gjitha pjesët ku ka nevojë. Kontrata e mirëmbajtjes janë tri vjeçare dhe tash kjo periudha për shkak të arsyeve që përmenda që akoma nuk kemi kontratë ka mbetur një periudhë ku nuk po kemi mundësi me ndërhy por në anën tjetër ne i kemi  të identifikuar të gjitha lagjet, pjesët ku ka nevojë për ndërhyrje dhe sapo të nënshkruhet kontrata është paraparë që të angazhohen 6 operatorë në gjashtë rajone të ndryshme të komunës së Prishtinës dhe intervenimet do të bëhen mjaft shpejtë, por problemet po i kemi se nuk po kemi kontratë momentalisht”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme