Komuna e Prishtinës e zhbllokon tenderin e qumështit, vazhdon përsëri me Devollët

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës nuk kishte arritur që të bëjë furnizimin me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën. Kjo për shkak se ishte vonuar në procedurat e prokurimit dhe më pas i dolën probleme.

Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga kryetari Shpend Ahmeti ka vendosur që përsëri të furnizojë shkollat e nivelit të ulët me qumësht Vita. Nxënësit do të kenë nja një pako nga nesër, ose duke filluar nga java e ardhshme.

Komuna vendosi që ta negociojë tenderin e qumështit me kompaninë “ABRAZEN” L.L.C, e cila drejtohet nga njerëzit e “Devolli grup”, e që për produkt e kanë qumështin Vita, shkruan lajmi.net.

Sipas dosjes se tenderit, tek përshkrimi i çmimeve, sasia e paraparë e qumështit është 1.834.245 copë ne ambalazh tetra-pak 250 ml. Tenderi që u realizua me procedurë të negociuar pa publikim të kontratës është marrëveshje kornizë vetëm për 6 muaj.

Vlera e parashikuar e kontratës për këtë sasi të qumështit është 375 mijë euro, ndërsa çmimi për një pako 250 ml do të jetë 20 centë, ashtu sikur i tenderit paraprak.

Komuna ka bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’ dje, ndërsa sot ka planifikuar ta nënshkruajë kontratën.

Komuna e neglizhoi tenderin

Që nga viti 2015 e deri më tani, Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti shpërndau çdo ditë nga një pako me qumësht falas për nxënësit e shkollave fillore. Por, që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tani nuk është dërguar qumësht në shkolla.

Shkak për këtë janë bërë procedurat tenderuese të cilat Komuna e Prishtinës nuk i zhvilloi me kohë. Meqë tenderi paraprakë ka pasur validitet deri më 11 janar, lajmi.net ka parë që Komuna e Prishtinës e ka hapur ofertën e saj publike në faqen e KRPP-së me datë 21 nëntor 2018. Po sipas dosjes së tenderit, afati për dorëzimin e ofertave ka qenë deri me datën 20.12.2018, gjë të cilën nuk ka bërë kompania Vita, ose “ABRAZEN”, e afërt me këtë kompani, por vetëm një kompani të cilën komuna nuk e ka bërë publike.

Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë më i shkurtër se zakonisht dhe për këtë Komuna e Prishtinës ka pasur një arsyetim.

“Pasi që afati kontratës ekzistuese është gati për të skaduar është paraqitur nevoja e shkurtimit të afatit”, thuhet në dosjen e tenderit, respektivisht në nenin IV tek pika 3.3 në dosjen e tenderit.

Ndërsa me datë 09.01.2019, komuna ka marr vendim që ta anulojë procedurën e prokurimit më datë 31 janar 2019.

“Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në mase substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në anulimit e procedurës së prokurimit për këtë tender.

Përplasja mes Ahmetit dhe ish partisë së tij

Për dallimin e madh të çmimit të qumështit nga kontrata e parë me këto të vitit të kaluar, gjatë muajit janar 2019 aktivistë të Qendrës së Vetëvendosje nga Prishtina kanë dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit Shpend Ahmeti për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.

Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga Vetëvendosje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.

“Kjo pasi që në vitin 2017 tenderin për furnizim me qumësht e ka fituar Devolli, në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa vitin 2018 me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin afat kohor e ka fituar kompania “ABRAZEN”, në vlerë prej 733 mijë eurove. Pra vlera e keqpërdorimeve është mbi 500 mijë euro, dhe pronar të vërtetë të dy kompanive janë vëllezërit Devolli. Pasi që në kompaninë “ABRAZEN” figurojnë disa persona të autorizuar dhe anëtarë të punësuar të kompanisë Devolli Group, njëri nga ta Ernest Isufi, i cili figuron drejtor në Devolli Group”, kanë thënë aktivistë të Vetëvendosjes.

Me pas, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paditur për shpifje Lëvizjen Vetëvendosje. Pasi kishte dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Ahmeti kishte thënë se në padi ka kërkuar dëmshpërblim, të cilin sipas tij do ta caktojë gjykata.

Ahmeti ka përsëritur se procedurat kanë qenë të hapura dhe se çmimi i qumështit të blerë ka qenë më i liri në Kosovë.

Ai kishte thënë se VV-ja nuk është e interesuar për paranë publike por për të gënjyer.

“E kam ftuar në ballafaqim, hajdeni në çdo televizion, ama le të vijë kryetari, mos të fshihet prapa Fitores, Valdrinave, Emanave, sepse i njohim këta. Do të ishte mirë me dal në debat, ballafaqohemi për krejt temat, edhe për qumësht edhe për qeverisje, edhe për Devollët, në çfarëdo televizioni, dhe tregojmë kush po rren në këtë mes”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, pas kallëzimit penal të VV-së, Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka filluar hetimet. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë për lajmi.net, se lënda ka arritur në Prokurori, mirëpo nuk ka pranuar të jap më shumë detaje. “Lënda ka mbërri tek ne, është nda. Prokurori e ka marr lëndën, sigurisht që do të zhvillohen hetimet. Por ende nuk mund të flasim se është herët”, ka thënë Beka për lajmi.net ditë më parë.

Komuna e Prishtinës ka pasur dy kontrata për furnizim me qumësht të nxënësve të klasave I-V. E para ishte lidhur në vitin 2015 me “Devolli Group”  dhe ka qenë kontratë kornizë për disa vite. Sipas kësaj kontrate, një pako qumësht është blerë 10 centë. Dhe kontrata e dytë, të cilës i ka skaduar validetiti në janar 2019 ishte lidhur në vitin e kaluar, dhe një pako qumësht është blerë 20 centë. Çmimi prej 10 centëve në të cilin kanë hyrë edhe paketimi dhe distribuomi e kishte arsyetuar kompania dhe Komuna. Kishin thënë se ky ishte çmim promocional, meqë produkti kishte hyrë për herë të parë në treg. 

Të ngjashme