Komuna e Prishtinës mban peng ndërtimin e një objekti universitar

Prishtinë | 11 Mar 2017 | 13:22 | Nga

Universiteti i Prishtinës, tash e katër vjet nuk po arrin ta ndërtoj një objekt të ri për Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore, ndonëse ky fakultet funksionon në kushte të tmerrshme që një kohë të gjatë.

Pengesë kryesore për Universitetin ka dalë Komuna e Prishtinës.

E gjitha për faktin, se autoritetet komunale vazhdojnë të mos u përgjigjen kërkesave të këtij institucioni për marrje të pëlqimit për ndërtimin e objektit, pavarësisht se ato janë ripërsëritur disa herë brenda kësaj periudhe.

Bazuar në një shkresë të cilën e ka siguruar AktivPress, del se hera e fundit kur Këshilli Drejtues i UP-së ka diskutuar rreth dështimeve të njëpasnjëshme përkitazi me realizimin e projekteve kapitale si pasojë e moscaktimit të lokacioneve për ndërtim të objektit, ka qenë 29 dhjetori i vitit të kaluar.

Një muaj pas këtij takimi, përkatësisht me 31 janar 2017, sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi i ka dërguar letër Drejtorit për urbanizëm në komunën e Prishtinës, Liburn Aliu.

Në letër, Kelmendi ia ka përkujtuar Aliut datat kur UP-ja i ka parashtruar kërkesat në komunë, ndërsa komuna nuk ka kthyer përgjigje.

“Kërkesa për caktimin e lokacionit për ndërtim të Fakultetit të Shkencave Matematike- Natyrore kemi parashtruar me shkresën nr.2/15, dt. 9.9.2013, nr.2/522, dt. 28.10.2015 dhe fatkeqësisht asnjëherë nuk është dhënë pëlqimi për ndërtim të objektit të FSHMN-së”, thuhet në letrën e dërguar në adresë të Aliut.

Kelmendi ka sqaruar se Këshilli Drejtues ka kërkuar që të shqyrtohet me seriozitet kërkesa e UP-së dhe të jepet pëlqimi për ndërtimin e objektit në zonën ku më herët ishte planifikuar të ndërtohej Fakulteti i Edukimit.

Objekti për FSHMN-në planifikohet të ndërtohet në një sipërfaqe bazë prej 3000 metra katrorë, me dimensione 40X70 metra.

FSHMN, sipas Kelmendit, aktualisht punon në kushte më pak se minimale.

“Personeli i këtij fakulteti çdo ditë i ekspozohet epidemive nga brejtësit e ndryshëm të cilët kanë kushte optimale për zhvillim (lagështi, rrjedhje dhe erë të tmerrshme nga tubacionet e vjetruara të kanalizimeve, shpërthim i gypave nëntokësor të ujësjellësit brenda ndërtesës)”, ka thënë Bajrami.

Ai ka kërkuar nga drejtori për urbanizëm që ta shqyrtoj me urgjencë kërkesën për ndarjen e lokacionit brenda kampusit të UP-së, në mënyrë që të vazhdohet me procedurat e tjera.

Përgjigje nga komuna përkitazi me këtë kërkesë ka kërkuar edhe AktivPress, mirëpo ende nuk ka marr.

Gazeta është interesuar të dijë nëse për komunën, është kontestues vendi ku kërkohet të bëhet ndërtimi, apo ekziston ndonjë arsye tjetër që e pengon dhënien e pëlqimit për ndërtim.

Zyrtarët për informim kanë deklaruar se në momentin kur të marrin një përgjigje nga Drejtoria e urbanizmit, do t’ia përcjellin mediumit.

Pos për objektin për FSHMN-në, UP-ja ka edhe një telashe tjetër me komunën e Prishtinës.

Ka kohë që komuna po insiston ta ndërtoj një parking nëntokësor pikërisht në zonën e kampusit të universitetit, për çka nuk po pajtohet rektorati.

Këshilli ndërministror për Partneritet Publiko- Privat është mbledhur dy herë për ta shqyrtuar planin e kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe së fundmi është marr vendim që zgjidhja të bëhet mes komunës dhe universitetit, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Të ngjashme