Komuna e Prishtinës ua mori lokalet, përkundër se ishin pronarë me dokumente, rasti qe 4 vjet në gjykatë

Prishtinë | 13 Jan 2022 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Në një lokal në qendër të Prishtinës për tri vjet me radhë e ushtronte veprimtarinë një biznes i cili as nuk paguante qira e as lokali nuk ishte i tij.

Derisa personi që posedon dokumentacionin për lokalin qysh nga 1964 ka mbetur nëpër sallat e gjykatave duke kërkuar drejtësi dhe rikthim të pronës, që thotë se ia mori Ndërmarrja Publike Banesore – pronë e komunës – pa kurrfarë të drejte.

Lokali është mbyllur muaj më parë me masë sigurie, çelësat e të cilit ndodhen në gjykatë.

Fatin e njëjtë e kanë edhe tri lokale të tjera – që të gjitha në rrugën “Xhorxh Bush”, veçse në këto të fundit bizneset po operojnë pa asnjë pengesë.

Personat që posedojnë të gjitha dokumentet e nevojshme të pronësisë, thonë se lokalet u janë “uzurpuar” nga tashmë ish-qiraxhinjtë.

Ilhan Domaniku pretendon se është pronar i lokalit të cilit i është vënë dryni muaj më parë. Nga dokumentet e pronësisë ai posedon fletën poseduese, kopjen e planit dhe faturën e shitblerjes.

Kopja e planit, fleta poseduese dhe fatura e shitblerjes

Për Shqip.com Domaniku tregon se lokalin e kishte blerë në vitin 1964 nga Komuna e Prishtinës.

Fillimisht thotë se e kishte shfrytëzuar për biznesin e tij, ndërsa 30 vite më vonë e kishte lëshuar me qira.

Por, më 19 tetor 2016 një ftesë nga NPB-ja i kishte shkuar në lokal duke i kërkuar paraqitjen e dokumenteve të pronësisë.

Ftesa ishte bërë me qëllim të identifikimit të pronave të NPB-së dhe kthimin e tyre nën menaxhimin e ndërmarrjes.

Siç tregon Domaniku, të gjitha dokumentet e kërkuara i kanë dorëzuar në NPB, megjithatë sipas tij, kjo e fundit pas 15 muajsh verifikim, të vetëdijshëm, që lokalet janë pronë private, ka lidhur kontratë me qiraxhinjtë – pa dijeninë e pronarëve.

“Kontrata është nënshkruar nga vetë ish-kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Nexhat Kryeziu, i cili ka pasur shumë takime me qiraxhinjtë tanë (pa dijeninë tonë si pronarë) gjatë vitit 2017 para nënshkrimit të kontratës së jashtëligjshme. Pra, lind dyshimi për krim të organizuar”, deklaron Domaniku.

Lidhur me këto akuza, për Shqip.com ka folur vetë ish-kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Nexhat Kryeziu, i cili ka thënë se Departamenti i Pronës i asaj kohe ka sjellë dokumente që lokalet në fjalë janë ndërtuar nga ndërmarrja në vitet e 60-ta.

Duke u përgjigjur në pyetjet e Shqip-it për këtë çështje, Kryeziu ka pohuar se rasti i kujtohet pak, pasi “ka shumë vite që kam përfunduar angazhimin tim në NPB”.

“Si rezultatet i kërkimeve të tjera në regjistrat kadastral të paraluftës, NPB-ja atëherë ka vendosur në menaxhim këto lokale, ku njëri prej tyre mendoj është ende në menaxhim të NPB-së”, ka deklaruar ai.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Nexhat Kryeziu

Ndërkohë, rasti ishte paraqitur fillimisht në Policinë e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ana e Kryeziut.

Siç tregon Domaniku, kontrata e NPB-së me ish-qiraxhinjtë ishte anuluar tre muaj pasi rasti është paraqitur në polici.

“Por skenari ka vazhduar, pasi qiraxhinjtë refuzonin të nënshkruanin kontratë të re me ne dhe po ashtu t’i lirojnë lokalet. Policia na thotë se nuk mund të ndërhyjnë pasi rasti është proceduar në gjykatë dhe nuk mund të ndërmarrin asgjë pa marrë vendim kjo e fundit”, vazhdon ai.

Pasi ishte hetuar për pesë muaj nga hetuesit policorë, rasti kishte shkuar në prokurori.

Por, prokurori i këtij rasti Kujtim Munishi pas 8 muajve kishte njoftuar se nuk ka prova bindëse që Nexhat Kryeziu kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Ndërsa, se kush janë pronarët e lokaleve (NPB-ja apo të dëmtuarit) Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka marrë vendim – as pas katër vitesh.

Personat që posedojnë dokumentet e pronësisë ankohen se “uzurpatorët” nuk paguajnë asnjë cent për shfrytëzimin e lokaleve, ndërsa vetë ata thonë se po detyrohen që të paguajnë rregullisht tatimin në pronë.

Se NPB-ja ka pasur kontratë me qiramarrësit e atëhershëm e konfirmon edhe vetë ky institucion, megjithatë mohon se ka pranuar pagesë qiraje.

Ndërmarrja Publike Banesore

Sipas NPB-së, në fund të vitit 2017, kanë iniciuar procedurat e lirimit të këtyre lokaleve nga qiramarrësit e atëhershëm si dhe të pamundësojnë hyrjen dhe qasjen në ato lokale.

Në po të njëjtën kohë, përmes Divizionit të Qirasë, thonë se kanë njoftuar qiramarrësit që nëse janë të interesuar të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë këto lokale, duhet të lidhin kontratë mbi qiranë me NPB-në.

“Qiramarrësit e atëhershëm janë drejtuar në NPB për të lidhur kontratat mbi qiranë, në janar të vitit 2018. Pasi janë njoftuar pronarët aktualë të këtyre pronave për vendim të lirimit të lokaleve dhe lidhjeve të kontratave mbi qiranë me NPB, ata u janë drejtuar organeve të policisë dhe hetuesisë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Shqip.com.

NPB-ja më tej shton se pas 5 muajve ka dërguar njoftimin për shkëputje të kontratave mbi qiranë në mungesë të dokumentit mbështetës karshi këtyre pronave.

“Ne ju njoftojmë që NPB asnjëherë nuk ka shkaktuar dëm financiar ndaj qiramarrësve dhe pronarëve, pra nuk ka faturuar dhe nuk ka pranuar pagesë qiraje gjatë kësaj periudhe 5 mujore”.

“Po ashtu, vlen të theksohet se Menaxhmenti i ri i NPB-së në fund të vitit 2018 u ka dërguar shkresë zyrtare pronarëve aktual duke ju sqaruar që Ndërmarrja Publike Banesore karshi këtyre lokaleve nuk ka asnjë pretendim”, thuhet më tej në përgjigjen me shkrim të NPB-së.

Shqip.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të Administratës Tatimore të Kosovës për t’i pyetur nëse kanë inspektuar lokalet në fjalë dhe nëse ka dhënë urdhër për mbylljen e tyre deri në shpalljen e vendimit të gjykatës.

Administrata Tatimore e Kosovës

Nga ky institucion kanë konfirmuar se bizneset që operojnë nuk paguajnë qira mujore dhe një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë deri në vendim të gjykatës.

“Në bazë të konstatimeve të inspektoreve në raportin e vizitave është konstatuar që këto lokale janë kontest gjyqësore ndërmjet Ndërmarrjes Publike Banesore dhe disa personave të njohur për ATK-në, andaj deri në vendim të gjykatës nuk paguajnë qira mujore”.

Ndërsa, qiradhënësve nuk ju ndalet tatimin në burim, “pasi nuk kanë dëshmi mbi pronësinë e objekteve që janë në shfrytëzim nga subjektet e lartcekura”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme