Komuna shpërblen nxënësit fitues në Olimpiadën Matematikore

Prishtinë | 28 Kor 2017 | 17:32 | Nga

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, ​organizo​i​ sot pritjen për nxënësit pjesëmarrës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, që këtë vit  u organizua në Brazil.

Pritja ​u​ bë nga drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, drejtuesit e shkollës, mësimdhënësit dhe shokët e shkollës.

Në këtë garë të nivelit ndërkombëtar  ku morën pjesë pothuaj ​se të gjitha vendet e botës, në mesin e tyre ishin dy nxënës nga Komuna e Prishtinës, Shend Zhjeqi dhe Alban Elezi, të cilët e përfaqësuan Republikën e Kosovën në mënyrë dinjitoze.

Shend Zhjeqi, nxënës i gjimnazit Matematikë në Prishtinë, pas shkathtësive dhe kompetencave të jashtëzakonshme të treguara në Olimpiadën Matematike të Kosovës në nivel Komune dhe në nivel Republike, arriti të triumfojë edhe në nivelin ndërkombëtar, duke fituar Medaljen e Bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare Matematike  (ONM).

Drejtoria e Arsimit për ngritjen dhe përmirësimin e cilësisë në arsim, në mënyrë të vazhdueshme organizon gara të ndryshme në nivel komune. Po ashtu, në funksion të zhvillimit të përmirësimit të cilësisë në arsim, Drejtoria e Arsimit në  bashkëpunim  edhe me Shoqatën e Matematicientëve, për  çdo vit organizojnë garën “Olimpiada Matematike”, në nivel komune dhe Republike garë e cila po nxjerr në pah talentet e matematikës.

Drejtoria e Arsimit, nga fillimi i funksionimit të gjimnazit Matematikë në vitin 2014, ka hasur në vështirësi  dhe sfida të mëdha sepse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ende nuk ka ndarë buxhet për funksionimin e këtij gjimnazi.

​ ​Përkundër peripecive të shumta Drejtoria e Arsimit ka arritur t’i tejkalon çdo sfidë të paraqitur në gjimnazin Matematikë, duke e mbuluar dhe siguruar me   staf të  brendshëm dhe kushte të domosdoshme për  funksionim e këtij institucioni,   duke  siguruar një proces të mësimdhënie dhe mësimnxënie  cilësore  sipas standardeve bashkëkohore.

Për rezultatet e arritura në garën Olimpiade  Ndërkombëtare  të Matematikës, një falënderim i veçantë shkon për mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar dhe Shoqatën e Matematike të Kosovës.

​Për arritjet e tyre, Shend Zhjeqi u shpërblye me çmimin prej 500 eurosh, ndërkaq Alban Elezi me 200 euro.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme