23 komuna përfitojnë 37 kamionë për mbeturina, kryetarët zotohen për ambient më të pastër

Prishtinë | 21 Qer 2022 | 14:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Kosovës synojnë që me përfitimin e 37 kamionëve ta evitojnë problemin që kanë me mbeturinat. Të martën, 23 komuna përfituan 37 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, të bashkëfinancuara nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe Gjermania, raporton Ekonomia Online.

Ky projekt zbatohet në kuadër të skemës “Gara për Mjedis të Pastër dhe Granti i Performancës Komunale”, ndërsa shuma totale e këtij granti arrin në 10.4 milionë euro.

Përfituese në këtë grant është edhe Komuna e Vushtrrisë, me ç’rast i pari i kësaj komune, Ferit Idrizi tha se po jetësohet një ndër objektivat e tij si kryetar komune.  

“Po sot e morëm një donacion prej dy kamionësh për grumbullimin e mbeturinave. Domethënë që i kemi përfituar si rezultat i vlerësimit të performancës së komunave. Kjo është një projekt që ka filluar në vitin 2016 dhe vazhdon edhe tutje. Po ky është vetëm fillimi si një ndër objektivat prioritare të qeverisjes sonë, është një ambient i pastër normal përmes menaxhimit të mbeturinave, përmes mbjelljes së drunjve dekorativ, përmes mbajtjes së qytetit të pastër. Këto janë ato synimet tona dhe ky është vetëm hapi i parë që kemi filluar qysh në ardhjen në qeveri”, tha ai.

Krahas donacioneve që pranon Komuna e Vushtrrisë, Idrizi tha se kanë ndarë edhe 80 mijë euro për blerjen e pajisjeve për menaxhimin e mbeturinave.

“Tash është kjo komponentë e menaxhimit të integruar të mbeturinave. Normalisht që këto dy kamionë do ta zbusin shumë menaxhimin e mbeturinave. Megjithatë ne kemi ndarë edhe nga buxheti komunal, i kemi nda 80 mijë euro për të blerë pajisje për menaxhimin e mbeturinave. Tani kemi dy kompani publike, është “Uniteti” si kompani regjionale dhe “Përparimi” si kompani lokale. Me menaxhim të mbeturinave merret “Unitteti” ndërkaq e kemi angazhuar edhe përparimin në mirëmbajtjen e disa pjesëve të qytetit me pastrimin e qytetit, me mbjelljen e drunjve dekorativ, mbjelljen e luleve”.

Ai tregoi edhe për planin që e kanë si komunë për ndarjen e mbeturinave në burim të njëmijë ekonomive familjare dhe institucione. Tha se do të bëhet ndarja e plastikës me ato të letrës.

“Ne do të vazhdojmë, mund të ju them me përgjegjësi të plotë se Vushtrria është në një far mënyre lider për komunat e Kosovës në menaxhimin e mbeturinave, pasi që tani më kemi filluar edhe ndarjen e mbeturinave në burim në njëmijë ekonomi familjare dhe institucione. Do të vazhdojmë me këtë ndarje të mbeturinave deri sa ta realizojmë si projekt. Kjo do të thotë që t’i ndajmë mbeturinat plastike nga ato të letrës e të tjera”, tha Idrizi.

E komuna e Suharekës i ka përfituar dy kamionë dhe synojnë që këtë numër ta rrisin në të ardhmen. Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha për Ekonomia Online se donacioni është i nevojshëm për qytetarët e saj, pasi synim kanë të jenë komuna më e pastër.

“Prej këtij projekti i kemi fituar dy kamionë që vlera e tyre është 290 mijë. Para një muaji në bashkëpunim me “Ekoregjionin” i kemi fituar 3 të tillë dhe vitin e kaluar i kemi marrë katër kamionë. Gjithsej kemi shtatë dhe kemi kushte optimale për mirëmbajtjen e ambientit të Komunës së Suharekës dhe si çdo herë pretendojmë që të jemi Komuna më e pastër. Në të ardhmen e kemi një projekt që do të fillojë ta bëjmë riciklimin, që t’i ndajmë mbeturinat duke filluar nga fshatrat që të përpunohen edhe më tutje dhe aty për aty të përfitojë dikush në mënyrë që mos t’i hedhim dhe ta shkatërrojmë natyrën”, tha ai.

“Falënderimi shkon më së shumti për punëtorët e “Ekoregjionit” të Suharekës, për mua ata janë heronj që më së shumti punojnë në Komunën e Suharekës dhe punojnë të shtunën dhe të dielën, që të kemi një ambient të pastër”, tha ai.

Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Ekoregjioni”, Burim Shala, tha se si kompani pos nevojës edhe për tre kamionë, kanë nevojë edhe për dy cisterna të ujit.

“Përfitimi i këtyre dy kamionëve është meritë ekskluzive e kryetarit sepse çdo herë ka qenë bashkëpunues me kompaninë tonë. Ne si kompani kemi nevojë edhe për 3 kamionë por gjithashtu edhe për dy cisterna të ujit që shpresojmë se do ta realizojmë në të ardhmen”, tha ai.

E përfitues të një kamioni është edhe Komuna e Malishevës. Kryetari i saj, Ekrem Kastrati, u shpreh falënderues ndaj donatorëve, për të cilën tha se do të synojnë që edhe në të ardhmen sigurojnë kamionë të tillë.

“Komuna jonë në bazë të përformancës e ka treguar gjatë viteve të fundit në kujdesin e mjedisit dhe pastrimin e mbeturinave, kemi fituar një kamion çfarë vetëm po e shihni. Shpresojë që në të ardhmen me punë dhe me aktivitet të vazhdueshëm së bashku me kompaninë publike “Ekoregjioni” do të bëjmë të pamundurën që mjedisi i punës së Malishevës të jetë sa më i mirë dhe sa më i pastër me qëllim që ta rrisim performancën tonë në këtë drejtim dhe sigurisht që të përfitojmë edhe donacione dhe përfitime të tjera nga donatorë të ndryshëm në këtë rast BE-ja dhe institucionet si Qeveria e Kosovës që na kanë ndihmuar në këtë drejtim”.

“Do të rrisë kapacitetet tona teknike sepse edhe ashtu nuk qëndrojmë mirë me kushte teknike dhe me teknologji, mirëpo besojë që ky donacion do të plotësojë shumë kushtet e kompanisë “Ekoregjioni” në Malishevë por edhe punëtorët të cilët do ta kanë rastin të punojnë me këto mjete bashkëkohore teknike”.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se donacioni prej dy kamionëve do ta lehtësojë shumë rrjetin e shërbimeve dhe cilësisë në Skënderaj.

“Gjithsej janë 2 kamion, prej GIZ-it gjerman dhe KFË-së dhe është një donacion i cili ka qenë proces garues mes komunave, dhe kjo logjistikë është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos për komunën e Skenderajt sepse në kuadër të prioriteteve të mia qeveritare është edhe ambienti sepse është një  imput i rëndësishëm që do t’i jepet mirëmbajtjes dhe pastrimit të ambientit”.

“Kjo do ta lehtësojë shumë, sepse ne tani për katër muaj e kemi zgjeruar shumë qind për qind rrjetin e shërbimeve dhe kjo do të ofrojë shërbime shumë më cilësore dhe më të shpejta sidomos në zona rurale që kemi disa fshatra në zona të thella, dhe në përgjithësi në territorin administrativ të Komunës së Skenderajt do të jetë i pastër”, tha ai për EO.

Lexo më shumë:

Të ngjashme