Dështon mbledhja e Kuvendit Komunal të Prizrenit për zyret e partive politike

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 16:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka dështuar të mbahet mbledhja emergjente e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e paraparë të mbahet gjatë ditës për të diskutuar lidhur me zyret e partive në këtë komunë.

Mbledhja ishte paraparë të mbahet nga ora 10:00  me pikën e rendit të ditës “Kërkesë për shtyrjen e vendimit për ekzekutim të largimit nga zyrat partitë politike.”

Por, për shkak të mosprezencës së kryetarit Haskuka, ishte kërkuar që seanca të shtyhet në ora 13:00.

Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Simir Krasniqi, ka kërkuar që seanca të shtyhet për në orën 13:00, duke qenë se kërkesa e këshilltarëve opozitarë për shqyrtimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për zyrat e partive politike deri në përfundimin e zgjedhjeve komunale i është drejtuar kryetarit të Komunës.

Ndërsa Karanfil Haxhillari i VV-së ka propozuar që shefat e grupeve të këshilltarëve në orën 13:00 të takohen me kryetarin e Komunës për të diskutuar për këtë temë. Edhe nënkryetari i Komunës, Visar Shehu ka theksuar se më e arsyeshme është që shefat e grupeve të këshilltarëve të takohen me kryetarin.

Në vijim kuvendarët e partive të ndryshme kanë diskutuar rreth këtyre dy propozimeve, me ç`rast Shukri Quni i Nismës ka kërkuar që Kuvendi ta marrë një vendim për këtë çështje, ndërkohë që organet tjera mund ta shqyrtojnë më pastaj ligjshmërinë e këtij vendimi.

Meqë nuk arrihej dakordimi se cili propozim të miratohet, është kërkuar një pauzë disa minutëshe për koordinim mes shefave të grupeve të këshilltarëve. Pas kësaj pauze, kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj ka njoftuar se seanca shtyhet për në orën 13:00, me qëllim që edhe kryetari të jetë i pranishëm.

Pas një takimi të shefave të Grupeve rreth 40 minutshe me kryetarin, mbledhja nuk u mbajt fare.

Mësohet se shefat e Grupeve Parlamentare janë dakorduar që Partitë nesër vullnetarisht t’i lirojnë zyret, e më pastaj ato të dalin ne ankand publik.

Lexo më shumë:

Të ngjashme