Ismajli: Gjendja e sotme dëshmon për një rënie të madhe të infeksionit në Gjilan

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Komiteti i emergjencave për parandalimin e virusit COVID-19 në Gjilan, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka dalë se ka një rënie të rasteve pozitive atje, ku nga 170 mostra të testuara vetëm 3 raste kanë rezultuar pozitive.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli ka thënë se duhet të respektohen masat strikte nga qytetarët për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

“Gjendja në aspektin e menaxhimit dhe të parandalimit të Covid-19, është në nivelin më të mirë të mundshëm në Gjilan, falë edhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm të institucioneve të shëndetësisë, Policisë së Kosovës, emergjencave civile, bashkësive fetare dhe qytetarëve pa dallim”.

“Gjendja që sot kemi prej numrit kaq të madh të mostrave na jep lajm të mirë, por nuk do të thotë se mund t’i neglizhojmë masat mbrojtëse”.

“Masat mbrojtëse duhet të përdoren strikt, sepse fuqia e virusit është e njëjta dhe deri tani është dëshmuar se merr edhe jetën e qytetarëve”, ka thënë Ismajli.

Në bazë të statistikave që ka bërë publike Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, konfirmohet se Komuna e Gjilanit në përballjen me COVID-19, nga data 13 mars e deri më sot, ka gjithsej 936 raste pozitive, prej tyre të shëruar plotësisht janë 777 pacient, 41 kanë humbur jetën, ndërsa raste aktive janë 119 pacient, prej tyre 23 të hospitalizuar dhe me gjendje shëndetësore stabile.

Të ngjashme