Kamenica ka 13 të prekur me Coronavirus, nuk dihet nga është infektuar personi i fundit

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 17:44 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rasti i fundit më Coronavirus në Komunën e Kamenicës i cili është roje në Qendrën e Mjekësisë Familjare, nuk dihet se nga është infektuar. Kështu ka bërë me dije kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati në një intervistë për Ekonomia Online.

“Aktualisht gjendja është stabile,  personi është punëtor i Komunës, më saktësisht i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare por punon te porta përkujdeset për veturat që hyjnë brenda  dhe dalin. Ai ka qenë në pushim vjetor dhe në kohën kur e ka përfunduar,  ka shkuar të kuptojë se a mund të punojë. Pas pak kohësh i është thënë të qëndrojë në shtëpi, shkaku i gjendjes së tij shëndetësore. Ende nuk kemi arritur që ta kuptojmë  se si është infektuar. Ai nuk ka pasur kontakte me personat e infektuar, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore ai ka qenë i kujdesshëm dhe nuk ka qenë një prej bartësve. Në ditët në vazhdim do ta kuptojmë se si e ka marrë virusin”, tha Kastrati.

Ndërkohë, gjendja e 13  të prekurve me Coronavirus në Komunën e Kamenicës, sipas tij  është stabile, por ka thënë se gjatë  ditës së djeshme nuk është kryer asnjë test i ri me dyshimet për Coronavirus në këtë qytet.

“Për momentin gjendja është e menaxhueshme. Fatmirësisht të 13 rastet e identifikuara janë në gjendje stabile shëndetësore. 12 prej tyre janë ata të cilët nuk vuajnë nga asnjë sëmundje kronike dhe rrjedhimisht po e kalojnë më lehtë. Rasti i fundit vuan nga sëmundje por prej asaj  që kemi kuptuar në kontakt me familjen gjendja e tij është stabile dhe uroj ta kalojë me sa më pak vështirësi. Po ka edhe fëmijë, personi më i ri në Kosovë është foshnja 5 muajshe e cila është nga fshati Topanicë i Komunës së Kamenicës. Gjendja e saj është stabile dhe nënës së saj. Ata janë liruar edhe nga Qendra Infektive dhe po e kalojnë në vetizolim në shtëpinë e tyre”, shtoi  Kastrati

Sipas tij, në Komunën e Kamenicës janë të vetizoluara rreth 35 familje persona që kanë pasur kontakt direkt me personat e infektuar me mbi 180 persona.

Ai ka thënë se edhe furnizimi me barna është në nivel shumë të mirë.

“Ne kemi organizuar që furnizimi me barna të jetë në nivelin më të lartë dhe deri tash janë të kënaqur qoftë me furnizime dhe të gjitha që po ju ofrohen. Prapë se prapë ata duhet ta kuptojnë që të mos dalin nga shtëpitë e tyre” , shtoi ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme