KFOR-i dezinfekton shkollën fillore në Hoçë të Madhe të Rahovecit

Rahovec | 13 Sht 2020 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Një ekip i specializuar i Ushtrisë italiane përfundoi dje dezinfektimin e Shkollës Fillore “Svetozar Markoviq” në Hoçën e Madhe të Rahovecit, për të mundësuar rihapjen e institutit në përputhje me rregulloret kundër Covid- 19.

Nëntë klasa, njëra prej të cilave përdoret si kopsht fëmijësh – dhe të gjitha vendet e përbashkëta u dezinfektuan me anë të nebulizuesve dhe substancave të duhura aktive, mu para vitit të ri shkollor.

Projekti ishte iniciuar nga Ekipi austriak Ndërlidhës dhe Monitorues që vepronte në atë zonë dhe u realizua nga ushtarët e artilerisë italiane të Regjimentit të 5-të, të gjithë pjesë e Komandës Rajonale – Perëndim të KFOR-it.

Përmes ekipit të saj të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, komanda e KFOR-it e udhëhequr nga italianët, gjatë dy muajve të fundit, ka zbatuar pesë projekte për ndihmë në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në regjionin perëndimor të Kosovës, me fokus të veçantë në arsim dhe shëndetësi.

Që nga shpërthimi i pandemisë, operacioni i NATO-s ka kontribuar në mënyrë të paanshme në reagimin lokal ndaj Covid 19 përmes një sërë veprimesh në mbështetje të institucioneve në Kosovë, duke përfshirë shpërndarjen e pajisjeve për mbrojtje personale dhe lehtësimin e ndihmës nga vendet aleate dhe partnere.

Të ngjashme