Lladrovci premton zbutjen e papunësisë dhe 72 milionë € investime

Prishtinë | 18 Shk 2017 | 10:29 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, premton se do ta zbusë papunësinë si dhe do të investojë më shumë se 72 milionë euro në komunën që ai drejton.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Lladrovci ka theksuar se edhe pse numri i të papunëve është vështirë për t’u zvogëluar, por me punë “24 orë në ditë” dhe përkrahje nga niveëi qendror kjo mund të arrihet.

“Me fillimin e punimeve e investimeve në Parkun e Biznesit Industrial të Drenasit 2 ne do ta zbusim shumë papunësinë. Sigurisht kjo do të merr kohë, sepse edhe ato kompani të mëdha vendore apo ndërkombëtare që do të vijnë për të investuar aty do të marrin kohë deri në finalizimi i fabrikave të tyre për t’i punësuar të rinjtë dhe të rejat në komunën e Drenasit”, ka thënë Lladrovci.

“E kam përmendur për këtë mandat të mbetur edhe për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, por nuk do të jenë 72 milionë do të jenë më shumë se 72 milionë që të investojmë kryesisht në rrugë, në shkolla, në çerdhe fusha sporti, në objekte shëndetësore, në bujqësi e të tjera”, ka thënë ai.

Lladrovci thotë se premtimet e dhëna gjatë fushatës do të jenë më të vogla karshi punëve që do t’i realizojë.

Ai ka theksuar se qytetarëve të Drenasit do t’ua sigurojë ngrohjen nga “Ferronikeli”, ku sipas tij, sivjet do të fillojë instalimi i ngrohjes qendrore për qytetin e Drenasit.

“Ministri Blerand Stavileci tani më është në fillimin e procedurave për këtë çështje dhe sa të përfundojnë procedurat besoj se deri në fund, ose pjesën e tretë të këtij viti të fillojmë edhe me procedurat për instalimin e ngrohjes qendrore për qytetin e Drenasit. Sigurisht kjo do të zgjasë sepse është një projekt i madh por që ne do ta fillojmë këtë vit”, ka thënë ai.

Ladrovci ka treguar pse ka zgjedhur 29 dhjetorin për të dhënë betimin e kryetarit të komunës së Drenasit, duke e quajtur ditë të veçantë për të.

Gjatë intervistës ai po ashtu ka treguar se a do të kandidojë për kryetar të Drenasit në zgjedhjet komunale që pritet të mbahen sivjet. Ai ka folur edhe ndërrimin e disa drejtorëve, barazinë gjinore në komunë, e çështje tjera…

INTERVISTA E PLOTË

EO: Më 29 dhjetor të vitit të kaluar ju keni dhënë betimin si kryetar i Komunës së Drenasit dhe me marrjen e këtij posti keni thënë se do ta bëni Drenasin shembull për të jetuar dhe se ju pret punë e madhe në këtë komunë, çfarë keni dashur të thoni me këtë?

Lladrovci: Së pari 29 dhjetori është një ditë e veçantë për mua dhe e kam zgjedh atë ditë që është ditëlindja e babait dhe e kam zgjedhur orën 13:00 sepse është numër i fatit i Partisë Demokratike në këto zgjedhje, që kanë qenë zgjedhje të lira dhe demokratike. Ne kemi thënë që do ta bëjmë atraktiv Drenasin për të jetuar, sepse në Drenas do ta kthejmë jetën e mirë të qytetarit, ju keni mundur me pa që tashmë ka filluar që të ketë disiplinë në punë, rregull në punë, transparencë, përgjegjësi, llogaridhënie këto janë ato që ne për fillim i kemi nisur dhe ju e dini se ne e kemi një park biznesi te Kroni i Mbretit, ku Qeveria e Kosovës e ka marrë atë pjesë prej 62 hektarësh nga AKP-ja, dhe do t’ia jep në shërbim komunës dhe bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë do të sjellim investime kapitale të cilat do ta ndreqin jetën e qytetarëve, pra do ta zbusin papunësinë e qytetarëve të Drenasit.

EO: Po ashtu keni thënë që do të punoni edhe 24 orë për t’i përmbushur të gjitha premtimet e dhëna. A mund të na tregoni pak më shumë se cilat janë ato prioritetet e juaja apo premtimeve që iu keni dhënë prioritet më së shumti?

Lladrovci: Unë kam thënë që do të punojë 24 orë për Drenasin premtimet tona kanë qenë kryesisht rregullimi i infrastrukturës siç janë: rregullimi i rrugëve, kanalizimet e ujërave të zeza, rrjeti i ujësjellësit kanë qenë shkollat, shëndetësia, bujqësia. Prioritet do të jetë edhe instalimi i ngrohjes qendrore të qytetit të Drenasit, por kryesorja do të jenë investimet kapitale në parkun e Biznesit të Drenasit 2, ku shpresojmë se pas marsit të këtij viti ne veç do të kemi të përgatitur infrastrukturën ligjore për të sjell investitorët.

EO: Kur jemi te projektet a jeni duke vazhduar projektet që ish kryetari Demaku i ka lënë pa i përfunduar apo jeni fokusuar konkretisht në programin e juaj?

Lladrovci: Unë e kam thënë edhe gjatë fushatës se ne do t’i zbatojmë të gjitha projektet të cilat i ka miratuar Kuvendi i Drenasit në fund të shtatorit të 2016-ës, projekte që do të zhvillojmë, por ne kemi edhe projektet të cilat i kemi premtuar dhe i kemi realizuar nga buxheti qendror. Mund t’iu them se premtimet e mia kanë qenë të vogla karshi atyre që i kemi realizuar dhe po i realizojmë.

EO: Gjatë fushatës keni përmendur edhe një shumë prej 72 milionë euro investime në këtë komunë. A mund të na tregoni pak më gjerësisht ku konkretisht do t’i shpenzoni këto mjete në cilët sektorë?

Lladrovci: Unë e kam përmendur afërsisht 72 milionëshin, afërsisht 72 milionë po ju them se qysh tani e kam përmend për këtë mandat të mbetur edhe për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, por nuk do të jenë 72 milionë do të jenë më shumë se 72 milionë të investojmë kryesisht në rrugë, në shkolla, në çerdhe fusha sporti, në objekte shëndetësore, në bujqësi e të tjera.

EO: E përmendet më herët edhe ngrohtoren e qytetit, keni thënë se do të lidhet me Ferronikelin , a keni filluar të punoni në këtë drejtim edhe kur mundemi me prit që qytetarët e Komunës së Drenasit t’i gëzohen këtij lajmi?

Lladrovci: Ministri Blerand Stavileci tani më është në fillimin e procedurave për këtë çështje dhe sa të përfundojnë procedurat besoj se deri në fund ose pjesën e tretë të këtij viti të fillojmë edhe me procedurat për instalimin e ngrohjes qendrore për qytetin e Drenasit, sigurisht kjo do të zgjasë sepse është një projekt i madh por që ne do ta fillojmë këtë vit.

EO: Kemi parë që me fillimin e marrjes së mandatit tuaj keni bërë edhe ndërrimin e disa drejtorëve. Pse e keni marrë këtë vendim?

Lladrovci: Unë nuk kam ndërruar drejtor unë kam deklaruar gjatë gjithë fushatës se do të realizoj barazinë gjinore me qeverisjen time do të qeverisin 50 për qind burra e 50 për qind gra, megjithëse se kam deklaruar se këtë vit do ta kemi këtë përqindje unë e kam realizuar dhe fal asaj që tre drejtorë vet e kanë ofruar mundësinë që ata t’i lirojnë postet e tyre, por ka qenë edhe performanca e tyre sigurisht dhe ne sot i kemi jo 50 për qind, por mund të themi se i kemi 60 për qind gra, sepse edhe ushtruesja e drejtorit të Arsimit është grua. Kështu që unë akoma nuk kam vendosur për drejtorin e arsimit dhe besoj se ditët në vijim do të gjejmë emrin e drejtorit dhe do ta vendosim drejtorin.

EO: Me gjithë këto investime të përmendura që do të bëhen në këtë komunë a mendoni se do të zvogëlohet numri i të papunëve në Komunën e Drenasit?

Lladrovci: Numri i të pa punëve është vështirë me u zvogëluar, por ne do ta zbusim këtë vit papunësinë, por me fillimin e punimeve e investimeve në Parkun e Biznesit Industrial të Drenasit 2 ne do ta zbusim shumë papunësinë. Sigurisht kjo do të marrë kohë, sepse edhe ato kompani të mëdha vendore apo ndërkombëtare që do të vijnë për të investuar aty do të marrin edhe ato kohën e vet deri te finalizimi i fabrikave të tyre për t’i punësuar të rinjtë dhe të rejat në Komunën e Drenasit.

EO: Tashmë e dimë që këtë vit janë edhe zgjedhjet komunale, po më intereson të di a jeni të gatshëm që të kandidoni përsëri për kryetar të Komunës së Drenasit?

Lladrovci: Këtë do ta përcaktoj kryetari i PDK-së, Kadri Veseli do ta përcaktojë partia e PDK-së, po ashtu do të vendosë edhe dega e PDK-së në Drenas. Gjithsesi do të jetë edhe vlerësimi i qytetarit për punën time, por besoj që këto do të jenë 3 zhvillime që do ta përcaktojnë kohën në vazhdim, sepse kjo do të varet edhe nga performanca ime për këta tre muaj që kanë mbetur këtë mandat.

Intervistoi: Jehona Zhuniqi

Lexo më shumë:

Të ngjashme