Pronarët e kiosqeve kërkojnë ndihmën e shtetit: Dëmet llogariten të jenë deri në 5000 euro

Prishtinë | 08 Gus 2020 | 14:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pandemia pos dëmeve të shkaktuara në shumë sektorë, dëm të madh u ka shkaktuar edhe pronarëve të kiosqeve në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

E për këtë, ata po kërkojnë ndihmën e shtetit, për të cilën thonë se janë të vetmit që janë anashkaluar.

Sadudin Hasani Kryetar i shoqatës së bizneseve të vogla për Ekonomia Online, thotë se si pasojë e masave të ndërmarra nga Qeveria, janë dëmtuar goxha shumë. Ata kanë kërkuar fillimisht ndihmë nga Komuna e Prishtinës, por që thonë se një gjë të tillë duhet ta bëjë Ministria e Financave.

“Ne bizneset e vogla shkaku i pandemisë dhe si pasojë e masave që janë ndërmarrë për luftimin e pandemisë nga Qeveria, jemi dëmtuar jashtëzakonisht shumë. Si pasojë e kësaj kemi kërkuar mbështetje përmes granteve nga komuna e Prishtinës, e cila na ka njoftuar se ata e kanë hartuar një plan me të cilën duan t’i mbështesin përmes granteve, mirëpo kanë kërkuar aprovim nga Ministria e Financave që ta lejojnë komunën me i përkrah dhe aprovimin prej tyre ende nuk e kanë marrë”, tha ai, teksa kërkoi nga spektri politik që të bëhen bashkë dhe t’i plotësojnë kushtet e tyre, pasi që tha se janë në një gjendje e rëndë.

Hasani thotë se dëmet gjatë pandemisë variojnë nga 2500 deri në 5000 euro.

“Gjatë kësaj kohë të pandemisë, neve na ka skaduar afati i mallrave dhe shumë kompanive të mëdha nuk na i kanë kompensimin e tyre. Nëse do ta dinim se nuk do të kompensohej, ne ato mallra do ta shpërndanim si ndihma por që nuk e kemi ditur. Andaj, kërkojmë që të bëhet një zgjidhje dhe të na mbështesë dhe të vazhdojmë si më parë”, tha ai, duke shtuar se shifrat e humbjes variojnë nga 2500 deri në 5000 euro.

Kërkesë tjetër e kanë edhe çmimin e duhanit. Thonë se marketet e mëdha po përfitojnë në forma të ndryshme, siç është kompensimi i kompanive të duhanit me reklama, gjë të cilën këta nuk e kanë. E për këtë, ata kanë paralajmëruar rritje të çmimeve të duhanit.

“Ne jemi dëmtuar edhe sa i përket çmimit të cigareve. Siç dihet ne se çmimi i cigares e mbajmë njëjtë siç e mbajnë bizneset e mëdha. Marketet marrin mbështetje nga kompanitë e duhanit, kurse ne si biznese të vogla jo. Te ata është e lejueshme reklama, tek ne nuk është e lejuar sepse ata i kanë raftet e ne jo. Ne çmimin ne e kemi të barabartë me ta. Nëse në një të ardhme të afërt, kompanitë e mëdha nuk na mbështesin neve me ndonjë stimulim, ne do të jemi të detyruar që çmimin e duhanit të sheshim me fitim prej 10 për qind”, tha ai.

Enver Gashi shitës i njërës prej kiosqeve në Prishtinë, se nëse nuk ndihmohen nga kompanitë e duhanit, do t’i rrisin çmimet për këtë produkt.

“Qëllimi jonë është që t’i informojmë kompanitë e mëdha me na përkrah se me 10 cent në pako ne nuk mundemi t’i mbulojmë as shpenzimet. Do të detyrohemi që vetvetiu t’i shtrenjtojmë çmimin e duhanit”, tha ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme