Rastet e shumta në Vushtrri janë rezultat i lëvizjeve të pakontrolluara

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Edhe 14 raste me koronavirus janë konfirmuar në komunën e Vushtrrisë. Vushtrria në ditët e fundit prinë për nga numri i rasteve, ndërsa të hënën është njoftuar se rastet e reja janë të shpërndara në katër vendbanime të ndryshme. Pesë raste janë në fshatin Ceceli, nga katër në qytetin e Vushtrrisë dhe në Mihaliq si dhe një rast në Bajskë.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se bëhet fjalë për raste kontakti, të ndërlidhura familjarisht ose tërthorazi në mes vete.

“Janë shkaktuar kryesisht si rezultat i lëvizjeve të pakontrolluara gjatë festës që sapo e kaluam, sepse nuk e kanë ditur që janë të infektuar me COVID-19”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se beteja është rraskapitëse dhe se çdo hapje e bërë në interes të qytetarëve bartë edhe rrezikun me vete.

Por Tahiri thotë se mbyllja e qytetit sërish nuk është opsion. Ai madje vlerëson se situata është e menaxhueshme.

“Secili qytetar është përgjegjës për veten dhe familjen e tij. Ju lutem për kujdes. Ruajeni veten, familjen tuaj dhe qytetin tonë nga koronavirusi”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij të gjitha familjet e prekura janë në kujdes të shtabit emergjent komunal dhe në vetëizolim.

Të ngjashme