Rikthimi i pagesës në “Trafikun Urban” ul fluksin e udhëtarëve

Prishtinë | 09 Jan 2021 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Me fillimin e vitit të ri, “Trafiku Urban” i është rikthyer rrjedhës normale duke kërkuar nga qytetarët biletat për udhëtim. Por gjatë kohës që ishte pa pagesë, në muajin dhjetor, krijoheshin tollovi të mëdha nga qytetarët që prisnin me minuta të tërë për të hipur në të.

Tani që duhet paguar ka rënë edhe numri i udhëtarëve.

Konduktori i linjës 4, Valon Avdullahu, në kohën kur nuk shiste bileta e mbante rendin dhe numrin e lejuar të udhëtarëve. Thotë se shpeshherë kritikoheshin se nuk mund t’i merrnin të gjithë udhëtarët që prisnin në stacion.

“Interesimi ka qenë më i madh, ka qenë më tollovi në muajin dhjetor. Pasi është bërë përsëri me pagesë ka më pak udhëtar. Të gjithë kanë qenë me dijeni që nga i pari fillon përsëri me pagesë. Gjatë muajit dhjetor ka qenë e vështirë se ka pasur tollovi dhe u shtyheshin dhe na kritikonin që nuk po i marrim, por tani është përmirësuar, po kemi më pak probleme”, ka thënë ai për KOHËN.

Për këtë ankohen edhe udhëtarët, të cilët thonë se tash nuk presin si muajin e kaluar.

Kaltrina Baholli thotë se i ka ndodhur të presë deri në 50 minuta, pasi që vinin autobusët, por nuk mund t’i pranonin të gjithë ata që prisnin në stacion.

“Kemi pritur më gjatë, kemi pritur deri në 50 minuta. Sa e ka pasur anën pozitive, e ka pasur edhe anën negative se u bëke ngarkesë në trafik dhe u mbushin autobusët shumë. Sot është hera e parë që dola në këtë muaj dhe po e shoh se është shumë më mirë, ka më pak njerëz dhe po na merr krejt brenda nuk po na ndalë”, është shprehur ajo.

Por ka qytetarë që thonë se pavarësisht tollovisë gjithçka ka shkuar në rregull dhe më mirë ishte pa pagesë.

“Këtu kam punuar 34 vjet dhe jam shumë i rregullt. Ka pasur tollovi më të madh por në rregull ka shkuar përsëri. Edhe djali më punon këtu dhe ka treguar se kanë punuar me rregull dhe janë duke ardhur autobusët me rregull, pa kurrfarë problemi. Pasi ka autobusë çdo 5 minuta është çdo gjë mirë, po të kishin qenë më rrallë atëherë sigurisht që do vonoheshin nëpër puna njerëzit”, ka deklaruar Ramë Uka.

“Gjatë atij muajit që ka qenë pa pagesë i kam parë njerëzit që janë më të lumtur. Kanë shkuar, kanë ardhur, ka pasur më shumë udhëtarë mirëpo ata kanë qenë shumë të kënaqur. Kanë ndodhur që 2 apo 3 autobusë kanë kaluar pa mund të hipnin, kohëve të fundit hipshin edhe pa e pyet fare konduktorin. Më kujtohet mirë një konduktor që ka qenë në moshë, të gjithë të rinjtë u vërsulen, por me një keqardhje me një respekt shumë të mirë”, ka thënë Nazmije Hoxha.

Menaxher i transportit në “Trafikun Urban”, Kujtim Berbatovci, konfirmon se interesimi ishte tejet i madh në muajin dhjetor dhe se tani fluksi është shumë më i vogël.

“Tani në muajin janar ka filluar të bëhet bartja e qytetarëve me pagesë, pasi vetëm një muaj ka qenë pa pagesë dhe tani në janar është rikthyer pagesa e bartjes së qytetarë dhe është e njëjtë 0.40 cent për të gjithë. Çdo gjë që është pa pagesë shfrytëzohet më shumë. Edhe në autobusët tonë është vërejtur që ka fluks më të madh të qytetarëve të cilët kanë pasur kërkesë për transport, çdo herë ka por në atë muaj ka pasur numër edhe më të madh të qytetarëve nëpër stacione”, ka thënë Berbatovci.

Të gjithë qytetarët, të cilëve iu kanë mbetur ditë të pashfrytëzuara nga bileta mujore e muajit nëntor, do të rimburësohen duke shkuar në pikat ku i kanë blerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme