“Termokosi” ndërron gypat e vjetëruar të ngrohjes në dy lagje në Prishtinë

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 10:55 | Nga

Kompania “Termokos” ka filluar punimet për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në kryeqytet. Në këtë fazë planifikohet ndërrimi i gypave të stërvjetëruar të ngrohjes në Lagjen “Bregu i Diellit” dhe në Lakrishtë, që konsiderohen si pikat më kritike të humbjes së energjisë termike. Punimet pritet të përmirësojnë cilësinë e ngrohjes për banorët e këtyre lagjeve.

Zëdhënësja e Kompanisë publike “Termokos”, Aferdita Uka, tha për Radio Kosovën se kanë filluar punimet për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes. Rehabilitimi i rrjetit që furnizon me ngrohje Kodrën e Diellit, pritet të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ngrohjes për këtë lagje.

“Kanë filluar punimet për ndërrimin e një gypi kryesor magjistral i ngrohjes, i cili ka një kapacitet shumë të madh për ngrohje. Ky gyp është arteria kryesore e rrjetit që furnizon me ngrohje Kodrën e Diellit. Rehabilitimi i këtij rrjeti pritet të përmirësojë dukshëm cilësinë e ngrohjes në ketë lagje”, tha ajo.

Uka tha po ashtu se do të punohet edhe në ndërrimin e gypave të stërvjetëruar nga “Ibër Lepenci” deri në “Termokosi”. Sipas saj, punimet planifikohet të përfundojnë para fillimit të sezonit të ngrohjes.

“Për pak ditë pritet të fillojnë punimet edhe në segmentin tjetër, që do të punohet deri në sezonin ngrohës. Ky pozicion është nga ‘’Iber Lepenci’’ deri në ‘’Termokos’’, këta janë gypa të stërvjetëruar të ngrohjes që janë instaluar që nga vitet e 70 –ta, kur edhe ka filluar funksionimin ‘’Termokosi’’ si ngrohtore e qytetit, dhe që nga ajo kohë nuk janë ndërruar asnjëherë”, tha ajo.

Vlera e investimeve në rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes dhe 50 nënstacioneve termike kap vlerën e rreth 5 milionë eurove, të cilat janë siguruar nga fondet e përbashkëta të Komisionit Evropian, Qeverisë gjermane, Qeverisë së Suedisë dhe Qeverisë së Luksemburgut, të menaxhuara nga Banka Gjermane për Zhvillim (KFV).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme