Komunat kërkojnë nga Qeveria rishqyrtim të masave anti COVID 19

Prishtinë | 24 Kor 2020 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu ku kanë kërkuar rishqyrtimin e masave anti COVID-19.

Në këtë kërkesë të AKK-së, thuhet “Bordi Asociacionit të Komunave të Kosovës ka analizuar situatën me zhvillimet në menaxhimin e parandalimit të pandemisë COVID-19, prej datës 05 korrik 2020 deri më 23 korrik 2020 dhe vlerësojnë se është koha që masat e parapara me vendimin e Qeverise së Republikës së Kosovës të datës 05 korrik 2020 të ri-shqyrtohen. Duke marrë parasysh që me 5 korrik 2020 numri total i rasteve pozitive me COVID-19 ishte 3.508, ndërsa dje me 23 korrik ky numër ka shkuar në 6.467 raste të infektuar me virusin SARS-CoV-2 po shihet qartë që masat e parapara me 05 korrik nuk kanë dhënë efektin e dëshiruar dhe që këto masa duhet të rishqyrtohen”

Më tej Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që në këtë kuadër të hiqet orari i kufizimit të lëvizjes dhe të niset me lirimin e disa masave për gastronominë, të cilat ishin të vendosura në pikën 9 të Vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 01/10 të datës 5 Korrik 2020. Pra, kërkohet që masat të rishikohen në mënyrë që parandalimi i përhapjes së COVID-19 të jetë më i suksesshëm.

Njoftimi i plotë:

SI PASOJË E KEQËSIMIT TË SITUATËS ME COVID19, ASOCIACIONI I KOMUNAVE KËRKON RISHQYRTIMIN E MASAVE ANTI-COVID19

 “Bordi Asociacionit të Komunave të Kosovës ka analizuar situatën me zhvillimet në menaxhimin e parandalimit të pandemisë Covid 19, prej datës 05 korrik 2020 deri më 23 korrik 2020 dhe vlerësojnë se është koha që masat e parapara me vendimin e Qeverise së Republikës së Kosovës të datës 05 korrik 2020 të ri-shqyrtohen. Duke marë parasysh që me 5 korrik 2020 numri total i rasteve pozitive me COVID 19 ishte 3.508, ndërsa dje me 23 korrik ky numër ka shkuar në 6.467 raste të infektuar me virusin SARS-CoV-2 po shihet qartë që masat e parapara me 05 korrik nuk kanë dhënë efektin e dëshiruar dhe që këto masa duhet të rishqyrtohen.

Po shihet qartë që kufizimi i lirisë së lëvizjes në komunat kryesore të Republikës së Kosovës dhe masat që janë ndërmarrë për sektorin e gastronomisë, (koha e aktivitetit të ekonomik të jetë i kufizuar nga ora 21.00 – 05.00), nuk paskan qenë masa përkatëse në parandalimin e përhapjes së COVID 19. Prandaj, me këtë rast, kërkojmë nga Ju që në këtë kuadër të hiqet orari i kufizimit të lëvizjes dhe të niset me lirimin e disa masave për gastronominë, të cilat ishin të vendosura në pikën 9 të Vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 01/10 të datës 5 Korrik 2020. Pra, kërkohet që masat të rishikohen në mënyrë që parandalimi i përhapjes së COVID 19 të jetë më i suksesshëm.

Masat e deritashme, sipas statistikave të përgjithshme, nuk kanë ndikuar në uljen e numrit të të infektuarëve me Covid 19. Prandaj bazuar në këto statistikat, masat e datës 5 korrik nuk kanë dhënë ndonjë impakt në këtë ulje.

Në anën tjetër këto masa po ndikojnë në ekonominë vendore me theks tek punësimi dhe sipërmarrësit në nivel vendi, sidomos tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat janë duke shkuar drejt falimentimit.

Prandaj, kjo ka filluar të reflektohet edhe tek qarkullimi i parasë dhe tek të hyrat e një pjese të punëtorëve. Një pjesë e tyre si pasojë e këtyre masave janë duke punuar me gjysmë orari që do të thotë i marrin pagat për gjysmë ose janë në pushime pa pagesë.

Shqetësuese në këtë drejtim mbetet sektori i gastronomisë. Ky komunitet i ka shprehur shqetësimet tek Kryetarët e Komunave për pasojat e masave në këtë sektor.

Një element shtesë në këtë drejtim është se gjatë orëve të mbrëmjes qarkullimi është 12% i ditës punuese (7-24) dhe mos puna gjatë mbrëmjes ka efekt negativ 50-60 % e qarkullimit ditor tek gastronomia. Kjo për faktin se gjatë ditës ka frekuentim më të vogël, për shkak të punës dhe temperaturave të larta, derisa orët e mbrëmjes janë më produktive në gastronomi.

Andaj duke marrë për bazë të gjitha këto, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe një herë që të hiqen masat e kufizimit të lëvizjes dhe të zgjatet orari i punës në gastronomi sepse po shihet qartë se këto masa nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pozitiv në parandalimin e përhapjes së COVID 19.

Është edhe zotimi ynë se, paralel me heqjen e këtyre kufizimeve duhet të vazhdohet më respektim edhe më të madh të rekomandimeve e protokolleve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pra disatnca fizike, bartja e maskave dhe mbajtja e higjienës përsonale.

Me shpresë së këto kërkesa do të hasin në mirëkuptimin Tuaj, besojmë se bashkëpunimi mes dy niveleve të qeverisjes do të vazhdoj dhe do të thellohet në betejën e përbashkët anti-Covid19 por gjithnjë në funksion të shëndetit të popullatës dhe zhvillimit të ekonomisë vendore” – thuhet në kërkesën e AKK-së nënshkruar nga z.Xhafer Gashi – Zëvendës Kryetar i AKK-së

Të ngjashme