Konferenca e Rambujesë, SHBA-ja besonte në lidershipin e Thaçit

Prishtinë | 06 Shk 2022 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë ishte organizuar mbi bazën e vendimit të Grupit të Kontaktit për Kosovën (ShBA, Britania e Madhe, Gjermani, Franca, Italia dhe Rusia) për të negociuar midis shqiptarëve dhe serbëve një zgjidhje politike për statusin kalimtar të Kosovës.

Konferenca i zhvilloi punimet nga 6-23 shkurt 1999.

Më 6 shkurt në Rambuje të Francës, delegacioni i Kosovës nga radhët e UÇK-së ishte në përbërje të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Azem Sylës, Xhavit Halitit dhe Ramë Bujës. Nga radhët e LDK-së, në përbërje të delegacionit ishin Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi dhe Idriz Ajeti. Po ashtu, Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Bajram Kosumi ishin në përbërje si pjesë e Lëvizjes së Bashkuar Demokratike. Ndërsa, Veton Surroi si përfaqësues i gazetës “Koha” dhe Blerim Shala i gazetës “Zëri”.

Kryesues i delegacionit të Kosovës ishte zgjedhur përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi.

James William Pardew Jr. (1944-2021), diplomat dhe negociator ndërkombëtar dhe oficer amerikan, në memoaret e tij shkruan se takimi i Rambujesë e ngriti statusin ndërkombëtar të liderit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi. Sipas tij, vëmendje amerikane për Thaçin si lider i shkathtë e rriti edhe statusin e tij në mesin e shqiptarëve, shkruan Demokracia.com.

“Diplomacia amerikane u përqendrua mbi Grupin e Kontaktit dhe vlerën e një qëndrimi të përbashkuar ndërkombëtar, ku do të përfshihej edhe Rusia. Mekanizmi paqësor për ndjekjen e një zgjidhjeje paqësore ishte një konferencë ndërkombëtare e paqes me Qeverinë franceze si nikoqire në Rambuje, një kështjellë historike afër Parisit. Sekretarja Amerikane Medline Albright e hodhi energjinë e saj në Konferencën e Rambujesë gjatë shkurtit 1999-s. Chriss Hilli, Jim Dobinsi e të tjerët që kishin zhvilluar negociata në Francë nuk kishin nevojë për ndihmë. Unë nuk mora pjesë. Përvoja në Dayton qe e mjaftueshme për mua (…). Projekt-marrëveshja për paqe e Grupit të Kontaktit, që u shtrua në Rambuje, propozonte autonomi për Kosovën dhe parashihte që forcat serbe të sigurisë të tërhiqeshin prej Kosovës dhe të zëvendësoheshin me një forcë të NATO-s. Takimi u mbyll kah shkurti, pa marrëveshje as prej serbëve, as prej shqiptarëve të Kosovës. Sidoqoftë, shqiptarët më pas e pranuan planin e Rambujesë. Takimi i Rambujesë e ngriti statusin ndërkombëtar të liderit të UÇK-së, Hashim Thaçi. Ekipi i Albright gjatë kësaj konference gjykoi se Thaçi, krahasuar me Rugovën pasiv, ishte lideri më i shkathët shqiptar. SHBA-ja vazhdonte t’i qasej Rugovës, por anonte kah Thaçi, si lider me ndikim. Kjo vëmendje amerikane e rriti edhe statusin e Thaçit në mesin e shqiptarëve”, kështu kishte shkruar James William Pardew Jr. (1944-2021), diplomat dhe negociator ndërkombëtar dhe oficer amerikan, në librin e tij “Paacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkan”.

Ndërsa, ambasadori amerikan Christofer Hill, i cili aktualisht i është rikthyer diplomacisë si ambasador i SHBA-së në Beograd, në kujtimet e tij tregon sesi James Rubin mbronte teorinë se lideri i vërtetë i delegacionit të Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe se Albright duhet të fokusohej tek ai.

“Palët erdhën në Rambuje, më 6 shkurt. Ndërkohë që në Dayton, bisedimet u kryen në një bazë ushtarake, rrethuar nga tela me gjemba, Rambujeja ishte një vilë rrethuar nga kulla, që nga larg dukej si një nga ato projektet Lego. Më pak ose aspak progres në javën e parë, u takova me Sekretaren Albright dhe zëdhënësin e saj, James Rubin, që po shfaqej si këshilltar i rëndësishëm në Kosovë. James Rubin mbronte teorinë se lideri i vërtetë i delegacionit të Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe se Albright duhet të fokusohej tek ai. Jamie kishte një qëndrim të fortë, mbi fokusimin e tij tek Thaçi, si një lider i mundshëm, diçka që do të konfirmohej vite më vonë, kur u zgjidh kryeministër. Konferenca e Rambujesë u shty tre ditë me kërkesën e Grupit të Kontaktit të ministrave, që po kalonin gjithmonë e më shumë kohë nëpër mbledhje, me detyrat për çështjet e vendit të tyre. Mahnitesha nga sasia e kohës së dedikuar, nga zyrtarët e lartë për problemin e Kosovës, popullsia e së cilës mund të krahasohej me ndonjë rrethinë të vogël të Beijing Seoul ose Tokyos. Më 8 mars, isha i aftë të raportoja se UÇK-ja kishte pranuar përfundimisht marrëveshjen e Rambujesë. Më 19 mars në Paris, të gjithë udhëheqja e shqiptarëve të Kosovës nënshkruan marrëveshjet, ndërkohë që Wolfgang Petritsch, unë dhe të tjerët qëndronim prapa tyre. Ishte një moment i ëmbël dhe i hidhur njëkohësisht, sepse të gjithë e dinim, sidomos unë dhe Wolfgang, se në mungesë të firmës serbe dhe me gjendjen e dhunshme që ekzistonte, do të kishte luftë. Por, kishte diçka inkurajuese. Pas muajsh të tërë përpjekjesh, kishim arritur të bindnim udhëheqjen shqiptarë të bashkëpunonte, kjo ishte një arritje”, shkruan Christofer Hill, diplomat amerikan dhe ndërmjetësues amerikan në Konferencën e Rambujesë, në librin me kujtime “Outpost: Life on the Frontlines of American Diplomacy”.

Kjo konferencë drejtohej nga ekipi ndërmjetësues ndërkombëtar i përbërë nga përfaqësuesi i SHBA-së, ambasadori Christofer Hill, përfaqësuesi i BE-së, ambasadori austriak Wolfgang Petritsch dhe përfaqësuesi i Rusisë, Boris Majorski.

Konferenca e Rambujesë bashkëdrejtohej edhe nga Ministri i Jashtëm i Francës, Hubert Vedrin dhe ai i Britanisë së Madhe, Robin Cook. /Demokracia.com/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme