Konferenca Ndërkombëtare “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI”

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditimit është duke mbajtur Konferencën Ndërkombëtare “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit”. Konferenca u organizua me rastin e pranimit të ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI).

Pjesëmarrës në këtë konferencë janë përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Polonia, Turqia, Finlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, nga Gjykata Evropiane e Auditorëve, si dhe përfaqësues nga INTOSAI.

Po ashtu, në konferencë po marrin pjesë edhe udhëheqës të lartë të
Institucioneve publike të Kosovës, përfaqësues nga shoqërisë civile, mediave dhe organizatave ndërkombëtare dhe donatorë.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, hapi punimet e konferencës, duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit në INTOSAI.

Osmani tha se anëtarësimi i ZKA-së me të drejta të plota në INTOSAI nga 1 janari i këtij viti është moment shumë i rëndësishëm për secilin Institucion të Auditimit, sepse INTOSAI është një platformë globale bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave, hartimin e standardeve të auditimit dhe promovimin e ngritjes së kapaciteteve.

Të pranishmëve në konferencë u është drejtuar edhe Drejtori i Pergjithshëm i Thesarit, Ahmet Ismaili, i cili e përgëzoi Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Audtimit për anëtarësim në INTOSAI.

Ai tha se ZKA-ja është institucion profesional dhe kredibil dhe këtë e dëshmon edhe anëtarësimi në INTOSAI. Ismaili shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovë për të mbështetur Zyrën Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e misionit të saj.

“Është kënaqësi të fillojë punën qeveria me këtë sukses të ZKA-së. Raportet e auditimit janë vlerë e shtuar dhe kanë për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënien”, tha Ismaili.

Në një fjalë rasti, Dr. Harbib Saeed Al Amimi, president i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, e uroi ZKA-në për anëtarësimin në INTOSAI, si dhe për organizimin e suksesshëm të kësaj konference.

Ai është fokusuar te domethënia e anëtarësimit në INTOSAI. Tha se me anëtarësimin e ZKA-së INTOSAI është bërë me 194 shtete anëtare. “Qëllimet kryesore të INTOSAI-t janë shkëmbimi i përvojave dhe maksimizimi i tyre.

Kjo organizatë tenton të promovojë qeverisjen e mirë, të rrisë transparencën, të ruajë kredibilitetin dhe të luftojë korrupsionit, të promovojë besimin publik, duke ofruar vlerë e dobi për qytetarët e tyre. Nën moton e INTOSAI-t nga përvoja e përbashkët përftojnë të gjithë. Urime të gjithëve”, tha ai.

Kurse Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, njëherësh zëvendëskryetare e Komitetit për Ngritje të Kapaciteteve të INTOSAI-t, Helena Lindberg, foli për rendësinë e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimtit të Kosovës në INTOSAI.

Ajo tha se anëtarësimi në INTOSAI tregon se sa e përgatitur dhe profesionale është Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës. Edhe Gene L Dodaro, Auditor i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyra
Qeveritare e Auditimit të SHBA-ve, përmes një video-mesazhi e uroi ZKA-në dhe Kosovën për anëtarësimin në INTOSAI.

E falënderoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani, për ftesën qe ia ka bërë për t`iu adresuar përmes këtij video-mesazhi. Dodaro tha se presin që të kenë edhe me tutje bashkëpunim me ZKA-në.

“INTOSAI ndihmon ISA-t në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit, ngritjes se kapaciteteve, ndihmës për kolegët ndërkombëtar dhe siguron zbatimin e praktikave te mira”,tha ai.

Konferenca Ndërkombëtare me temë qendrore “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit” po vazhdon punimet në tri panele.

Në panelin e parë po diskutohet lidhur me temën ‘Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet që kanë ISA-të”. Në panelin e dytë diskutimi do të përqendrohet në temën ‘Si të zbatohen Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit–praktikat e mira?’. Ndërkaq, në panelin e tretë do të diskutohet për temën ‘Roli i Thesarit në menaxhimin e parasë publike dhe ndikimi i auditimit të jashtëm’.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme