Konfirmohen dy raste të variantit Delta Covid-19, në Kosovë

Prishtinë | 29 Qer 2021 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar dy raste me variantin Delta i COVID-19.

MSH bën të ditur se 22 mostrat e dyshimta ishin dërguar për identifikim në Berlin.

“Sot kemi pranuar të dhënat nga 22 mostrat pozitive të dërguara në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin, prej të cilave janë identifikuar 2 (dy) mostra me variantin Delta (B.1.617.2) të SARS-CoV-2. Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e IKSHPK-së tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve”, njofton MSH.

MSH thekson se varianti Delta u detektua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, i cili sot është njëri prej varianteve më brengosës në rruzullin tokësor. Hulumtimet e gjertanishme sugjerojnë se mund të jetë varianti që përhapet më së shpejti edhe më ngjitës sesa Alpha (U.K/B.1.1.7).

“Masat parandaluese janë të njëjta. Individët të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thekson MSH.

Çfarë dihet për variantin Delta?

Varianti Delta i coronavirusit është shfaqur për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020 dhe që atëherë është përhapur në më shumë se 80 vende të botës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, në rastin e variantit Delta, ka regjistruar transmetueshmëri më të madhe, ndërsa shkencëtarët janë duke studiuar arsyet e kësaj.

Por, sipas OBSH-së, nuk ka ende të dhëna që tregojnë se Delta është më vdekjeprurëse.

Studiuesit thonë se simptomat më të zakonshme që lidhen me variantin Delta janë: dhimbja e kokës, dhimbja e fytit dhe rrjedhja nga hunda.

Ndryshe, Kosova ka shënuar rënie të rasteve aktive me COVID-19, e po ashtu edhe të rasteve të reja, ku për këtë, Qeveria kishte marrë vendim për lehtësimin e masave antiCOVID, ku janë lejuar edhe ahengjet familjare.

Të ngjashme