Konfirmohet nga rrugët zyrtare: Kosova ia shet Maqedonisë 300 mijë tonë thëngjill

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ka biseduar me zyrtarë të qeverisë maqedonase të cilët i kanë konfirmuar se kanë blerë nga Kosova 300 mijë tonë thëngjill.

Po ashtu, ai ka thënë se i kanë kontraktuar edhe 170 mijë tonë.

“300 mijë tonë i kanë blerë nga Kosova, dhe i kanë kontraktuar edhe 170 mijë ton thëngjill nga Kosova. Tjerët me resurse tona po bëjnë zgjidhje. Kemi shumë familje me asistencë sociale dhe kanë nevojë ta ndjejnë dorën e shtetit në këto momente të rënda. Unë kërkoj nga kryeministri që mos t’i ikë kësaj përgjegjësie”, tha Tahiri.

Para pak ditësh është raportuar se Kosova planifikon që Maqedonisë së Veriut t’ia shesë 3 milionë tonë thëngjill.

Fillimin e negociatave mes dy vendeve për shitjen e thëngjillit e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi.

“Fillojmë negociatat për mundësinë e importit të thëngjillit nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike!”, u tha në postimin e tij.

“Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim!”, u deklarua më tutje ai.Të gjithë këtë, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, e ka konsideruar si paradoks, duke pasur parasysh kapacitetin e thëngjillit në vend, shkruan lajmi.net

“Në rend të parë duhet të kuptohet se Kosovës i mungon një strategji e mirëfilltë ekonomike, në këtë drejtim do të thotë po pëson Kosova edhe në aspektin energjetik. Nuk i bëhet nder Kosovës në qoftë se pengon ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, kur dihet fare mirë se Serbia prodhon afro 6 megawatt energji elektrike, Maqedonia 670, Mali i Zi prodhon afër 300 dhe Kosova me të gjithë këto potenciale të thëngjillit importon energji elektrike”, deklaroi ai.

Të ngjashme