Konjufca: Meja, dëshmi e gjenocidit të Serbisë

Gjakovë | 27 Pri 2022 | 12:37 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit”, në Meje të Gjakovës, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës.

Nga aty, Konjufca nuk dha shpresa se Serbia do të lejojë që në territorin e saj të bëhen hulumtime për të gjetur personat e zhdukur dhunshëm, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se në këtë masakër, tregohet gjenocidi i Serbisë mbi Kosovën, duke pasur për qëllim ta shfaros popullin shqiptar pa dallim moshe e religjioni.

“Është masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë, ku janë 377 qytetarë të Kosovës të vrarë duke mos i përjashtuar as gratë dhe fëmijët. Kjo tregon që gjenocidi i Serbisë në Kosovë e ka pasur një qëllim ta shfaros popullin shqiptar pa dallim moshe e religjioni, sepse këtu kanë masakruar myslimanë e krishterë së bashku”.

“Ne gjithmonë do t’i nderojmë dhe kujtojmë dëshmorët dhe martirët sepse përderisa në njërën anë është pikëllimi sepse kemi humbur vëllezër e motra tona por është edhe ditë e krenarisë sepse pa sakrificën e popullit shqiptar nuk do të mund të vinte as liria as të ndërtohej shteti i Kosovës që e gëzojmë sot”, tha Konjufca.

 Konjufca: Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë

Në vazhdën e nderimeve për dëshmorët dhe martirët të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti dhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, sot, në përvjetorin e 23-të masakrës së Mejës në Gjakovë, nderoi 377 martirët e kësaj masakre, 18 prej të cilëve ishin nën moshën 18 vjeçare.

Pasi bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial, kryeparlamentari Konjufca theksoi se masakra e Mejës është masakra më e madhe në Kosovë. 

“Në Mejë mund ta gjeni të gjithë popullin e Kosovës të masakruar. Por, fatkeqësia më e madhe është se kjo plagë vazhdon të jetë e hapur, për shkak se ende nuk kemi drejtësi”, theksoi Konjufca. 

Për më tepër, kryetari Konjufca tha se familjet jetojnë me ankthin e përditshëm. 

“Sot, në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, ne nuk e dimë ku prehen trupat e tyre. Po një gjë dihet saktësisht, ata i mori shteti gjenocidal i Serbisë”, shtoi kryetari i Kuvendit.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës, në ditët përkujtimore si kjo, në njërën anë ndjejnë pikëllim, në anën tjetër ndihen krenarë, sepse pa sakrificën dhe rezistencën e popullit shqiptar nuk mund të vinte liria. 

“Institucionet janë duke bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë çdo gjë që është e mundur që Serbia të japë përgjegjësi për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë”, tha ndër të tjera kryetari Glauk Konjufca. ​

Të ngjashme