Konjufca në takim me shefin e Eulex-it: Stabiliteti politik dhe zbatimi i ligjit janë çështje kruciale

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca priti në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën e të parit të Kuvendit, duke e përgëzuar njëkohësisht për konstituimin e suksesshëm të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Njëherësh, Wigemark rikonfirmoi gatishmërinë e misionit të EULEX-it për ndihmë në fushën e sundimit të ligjit brenda kompetencave të këtij misioni.

Kryekuvendari Konjufca ka falënderuar për urimin Wigemark dhe është shprehur mirënjohës për ndihmën që ka dhënë EULEX-i në konsolidimin e sistemit të drejtësisë, si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, si një element kryesor drejt integrimit evropian por edhe si një prej prioriteteve të institucioneve të shtetit tonë.

Konjufca vlerësoi se stabiliteti politik dhe zbatimi i ligjit janë çështje kruciale të cilat determinojnë dinamikën e zbatimit të agjendës parlamentare të miratimit të ligjeve, si dhe atë të institucioneve tjera publike.

Bashkëbiseduesit diskutuan po ashtu lidhur me mandatin e EULEX-it dhe çështjet parësore të misionit të tij, si dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Kuvendit dhe EULEX-it në avancimin e legjislacionit dhe sundimit të ligjit në vend.

Të ngjashme