Konkursi për adaptimin e objektit ish-Gërmia në sallë koncertale hapet javën e ardhshme

Prishtinë | 20 Nën 2020 | 14:36 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Konkursi për adaptimin e objektit të ish-shtëpisë së mallrave, Gërmia në sallë koncertale do të hapet javën e ardhshme, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ky konkurs do të zgjasë 75 ditë, duke shtuar se konkursi do të jetë për ndërtimin e dy sallave.

“Ish shtëpia e mallrave, Gërmia, ne kemi vendosë që ndërtesën ta ruajmë dhe po hapim konkursin për ta adaptuar në sallë koncertale. Ky konkurs është ndërkombëtar, do të fillojë gjatë javës së ardhshme dhe do të zgjasë 75 ditë”, tha ai.

Ahmeti theksoi se ndërtesën do e ruajnë por nuk do të kufizojnë kreativitetin e arkitektëve.

“Konkursi është për dy salla, salla e madhe me 800 ulëse, dhe salla e vogël me 200 ulëse. Ne kemi ndarë 150 mijë euro për këtë konkurs”, tha Ahmeti.

I pari i Prishtinës tha se projekti fillimisht do të mbulohet nga buxheti i Komunës, ndërsa do të jenë në bisedime me Komisionin Evropian për financim më tutje.

“Me Komision Evropian kemi pasur diskutime për financimin mirëpo merr kohë deri në vitin 2022, për financim. Ne nuk kemi kohë të presim dy vite për fonde, e kam lajmëruar KE për konkursin, ne do e zgjedhim fituesin, nëse ju pelqejnë do të na financojne, nëse jo do vazhdojmë vet me buxhetin tonë”, shtoi ai.

Të ngjashme