Konsiderohet e qëllimshme zvarritja e funksionalizimit të objektit të komunës në Kllokot

Prishtinë | 25 Nën 2020 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Stafi komunal në Kllokot ende nuk është vendosur në objektin e ri të komunës. Zyrtarët komunal deklarojnë se objekti nuk është funksional për shkak se nuk është rregulluar energjia elektrike. Ata deklarojnë se kanë bërë kërkesë në KEDS të angazhohet në rregullimin e energjisë për objektin e ri të komunës, mirëpo kërkesa e tyre nuk është shqyrtuar ende.

Nënkryetari i komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, deklaron se objekti i ri do të funksionalizohet me rregullimin e energjisë nga KEDS-i.

“Nuk kemi hyrë në atë objekt sepse ende s’kemi rrymë. U kemi dërguar kërkesën megjithatë ata ende nuk janë përgjigjur dhe askush nuk ka ardh me kyç rrymën” ka thënë ai.

Mirëpo subjektet politike shqiptare në Kllokot nuk kanë besim në atë se çfarë thonë zyrtaret komunal. Ata janë të bindur se pushteti komunal i cili drejtohet nga kryetari Bozhidar Dejanoviq, qëllimisht është duke zvarritur funksionalizimin e objektit të ri të komunës, ngase sipas tyre, u pengon që në këtë objekt janë të vendosura simbolet shtetërore të Kosovës.

Lista Serbe ka kundërshtuar vendosjen e simboleve shtetërore në objektin e ri të komunës duke e cilësuar se një akti i tillë përbën provokim për serbët.

Hidajet Ahmeti nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje deklaron se për të funksionalizuar objektin e ri të komunës duhet të intervenohet në trafon elektrike. Ai thotë se komuna po arsyetohet në opinion se është KEDS-i fajtor që nuk ka intervenuar në rregullimin e energjisë. Mirëpo sipas tij në tërë këtë lojë të hedhjes së fajit fshihen qëllimet politike. “Është tentuar që të kyçet objekti në sistemin e energjisë mirëpo KEDS-i ka deklaruar se nuk ka kapacitet trafoja. Tash çfarë është duke bërë komuna është se po e përdorë si arsyetim që KEDS-i e di defektin dhe nuk po vjen me rregullu. Komuna ka kapacitet financiar me zëvendësu trafon por nuk ka vullnet. Ata nuk duan që të vendosen në objekt i cili ka simbolet e shtetit të Kosovës dhe do të zvarrisin edhe më shumë këtë proces” thotë ai.

Ndërkaq edhe tri subjektet e tjera politike shqiptare kanë të njëjtin mendim. Naser Shabani nga Partia Demokratik e Kosovës deklaron se pushteti komunal duhet të angazhohet në krijimin e kushteve më të mira për zyrtaret e saj dhe se objekti i ri është në këtë funksion.

Ndërkaq Mervan Rexhepi deklaron se kryetari i komunës është duke injoruar kërkesat e banorëve të cilët dëshirojnë të kenë një objekt i cili u shërben atyre si adresë e vetme ku ata munden t’i marrin shërbimet dhe t’i parashtrojnë kërkesat e tyre. Sipas tij, objekti i ri i plotëson këto pritje.

Kurse Njazi Fejza nga Iniciativa Qytetare për Mogill deklaron se telashet politike po prodhohen nga pushteti komunal.

“Po nuk besoj në këto gjëra që i thonë. Arsyeja e thjeshtë pse ata nuk duan që të dalin në objektin e ri janë simbolet e Kosovës. Nuk duan t’i shohin aty” ka thënë ai.

Gazeta ka tentuar të merr një përgjigje edhe nga kompania KEDS mirëpo zëdhënësi për informim në këtë kompani Viktor Buzhala ka deklaruar se nuk mund të ofrojë një përgjigje për arsye shëndetësore.

Komuna e Kllokotit është një komunë multietnike e përbërë nga komuniteti serb dhe shqiptar. Në këtë komunë komuniteti serb përbën shumicën. Komuna ka afro 3 mijë banorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme