Konsumatorët mirëpresin realizimin e “Prishtina Heat Save”

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Ali Hondozi (76), konsumator i NP “Termokos” SH.A., sot ka mirëpritur ekipet e “Prishtina Heat Save”, të cilat për konsumatorët e lagjes “Bregu i diellit” këto ditë janë duke bërë instalimin e valulave termostatike, termokokave dhe alokatorëve- matësve të energjisë termike nëpër radiatorët e gjithë konsumatorëve tanë.

Ai është shumë i kënaqur, që projekti për vendosjen e këtyre pajisjeve po realizohet, ndërkohë, që nuk kursen shprehjet mirënjohëse për ekipin instalues, por edhe për të gjithë ata, që mundësuan realizimin e këtij projekti.

“Këto pajisje janë për të mirën tonë. Në fakt, ka vite që ne kemi pasur nevojë për vendosjen e tyre, pasi që në disa hapësira të banesës, kohë pas kohe nuk kam nevojë për gjithë atë ngrohje. Në mungesë të valvulave për të ndalur ngrohjen, i hapja dritaret për të freskuar banesën”, thotë Hondozi, pa e fshehur lumturinë e tij për realizimin e projektit “Prishtina Heat Save”. Jo vetëm xha Aliu, por me dhjetëra konsumatorë tjerë të NP “Termokos” SH.A, të lagjes “Bregu i diellit”, “Qendra”, “Ulpiana” dhe “Dardania”, çdo ditë mirëpresin ekipet instaluese dhe bashkëpunojnë ngushtë me to për instalimin e këtyre pajisjeve, të cilat përveç kontrollimit të temperaturës në banesat e tyre do t’iu mundësojnë edhe kontrollin e shpenzimeve për ngrohje.

Ali Hondozi është një nga gati 3 mijë konsumatorë, tek të cilët janë vendosur këto pajisje, të cilët tashmë e kanë kuptuar rëndësinë e këtij projekti, që nëpërmes kursimit të energjisë ngrohëse do të kenë mundësi të kursejnë edhe buxhetin e tyre familjar. Sikundër, edhe në të gjitha lagjet tjera të qytetit, ku NP “Termokos” ofron furnizimin me ngrohje, ekipet instaluese janë paraqitur pikërisht në ditën, kur nëpërmes njoftimeve të vendosura nëpër hyrjet e banesave të përcaktuara sipas planit paraprak, kanë filluar instalimin e këtyre pajisjeve, që sigurohen falas për gjithë konsumatorët në saje të një donacioni në vlerë të 10 milion dollarëve, të ndarë nga Qeveria amerikane nëpërmes Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe realizuar nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës dhe NP “Termokos” SH.A.

Të ngjashme