Kontrata sekrete e KEK-ut: 200 mijë tonë qymyr u shitën 50% më lirë se çmimi i tregut

Prishtinë | 03 Sht 2021 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Një kontratë milionëshe e KEK-ut për shitje të qymyrit ka përfunduar në Prokurori nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, si dhe janë marrë masa disiplinore ndaj disa zyrtarëve në KEK. Dyshohet se 200 mijë tonë qymyr iu shitën një kompanie private gati 50 përqind më lirë se çmimi i tregut.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dyshohet se ka favorizuar një kompani private, duke ia shitur 200 mijë tonë qymyr me një çmim gati 50 përqind më lirë sesa ai i tregut.Reklama e sponzorizuar

Më 2 prill 2021, KEK-u e shpërbleu me kontratë në vlerë 1.6 milionë euro kompaninë ‘Enertech’, të cilës ia shiti këtë sasi të qymyrit me një çmim prej 8 euro për ton, përderisa sipas hulumtimit të zhvilluar nga Buletini Ekonomik, çmimi i tregut shkon afër 15 euro për ton.

Çmimin prej 15 euro për ton, KEK-u e shet për ndërmarrjen “Kosova Thëngjill”, e cila është shoqëri aksionare dhe është e licencuar për shitjen e thëngjillit në Kosovë.

Dosja e këtij tenderi është mbajtuar sekret deri më tani, pasi nuk është publikuar në e-prokurim, mirëpo Buletini Ekonomik ka siguruar qasje në dokumente vetëm pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

Kontrata në fjalë ishte lidhur për një periudhë 3 mujore. Kompania ‘Enertech’ ishte e obliguar që për tre muaj ta tërheqë këtë sasi të qymyrit nga minierat sipërfaqësore të KEK-ut. Vlera e kontratës në total është 1.6 milionë euro. Në konsorcium me kompaninë ‘Enertech’ është edhe kompania nga Maqedonia “Promet Steel Holding Doo”.

Në dokumentacionin e tenderit nuk jepet asnjë shpjegim lidhur me çmimin dhe arsyeshmërinë financiare të kontratës, përveç asaj se KEK-u e kishte përcaktuar çmimin prej 8 eurove për ton qysh në dosje të tenderit.

“KEK-u ka vendosur të caktoj një çmim bazë për njësi prej 8 €/ton, i cili përfshinë TVSH-në e Kosovës, tantiemën dhe ndonjë taksë tjetër të zbatueshme. Ky Çmim Bazë përfaqëson shpenzimet operative që i shkakton KEK-ut, duke përfshirë çmimin indikativ të tregut. Ofertat e pranuara nën çmimin bazë për njësi nuk do të pranohen, dhe ofertuesi do të diskualifikohet”, thuhet në dosjen e tenderit.

Me të njëjtin çmim i është dhënë kontrata kompanisë ‘Enertech’.

“Çmimi për njësi për shitjen dhe blerjen e mallrave sipas marrëveshjes do të jetë 8 euro për ton, i cili përfshinë TVSH-në e Kosovës dhe Tantiemën për thëngjill të caktuar nga KPMM që aktualisht është 3 euro për ton”, thuhet në nenin 5 të marrëveshjes për shitje mes KEK-ut dhe kompanisë ‘Enertech’, që mban datën 2 prill 2021.

Dallimi kaq i madh në çmim potencohet si mjaft i dyshimtë në një raport të brendshëm të Auditorit të KEK-ut, detaje të të cilit i ka parë Buletini Ekonomik. Ky raport nuk është bërë publik, përkundër kërkesës për qasje në dokumente publike.

Raporti i Auditorit rekomandon hetim të mëtutjeshëm lidhur me këtë kontratë. Si bazë merret dallim i madh mes çmimit që aplikohet ndaj ‘Kosova Thëngjillit’ dhe çmimit që është aplikuar në kontratën me ‘Enertech’.

Zaim Maxhuni, kryetar i Bordit në “Kosova Thëngjill”, e ka konfirmuar këtë çmim, kur është pyetur rreth kushteve që KEK-u ofron me rastin e shitjes së thëngjillit.

“Çmimi për ton i qymyrit është 12 euro e 16 cent pa TVSH, por me TVSH arrin afër 15 euro”, ka thënë Maxhuni.

Sipas tij, “Kosova Thëngjilli” është e vetmja kompani që është e licencuar për shitjen e thëngjillit në Kosovë.

Në KEK nuk kanë pranuar të përgjigjen rreth dallimit në çmim, e as se pse kontrata është mbajtur sekrete.

Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK, ka thënë se sa i përket kësaj çështje “ju njoftojmë se menaxhmenti i KEK-ut është duke e trajtuar shumë seriozisht këtë çështje me ç’rast edhe ka iniciuar të gjitha veprimet e brendshme administrative si dhe njëkohësisht rastin e ka adresuar edhe në institucionet relevante”.

Për këtë rast, Bordi i KEK-ut ka lëshuar një komunikatë më 24 gusht 2021.

Në komunikatë përmendet edhe rasti i shitjes së thëngjillit, ku thuhet se është bërë në kundërshtim me procedurat dhe dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Për disa raste të dyshimta janë njoftuar edhe organet e jashtme si Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës për raste të veçanta sikurse shitja e thëngjillit e konstatuar në kundërshtim me procedura të prokurimit dhe e përcjellë me dyshime për keqpërdorim për çka edhe kanë filluar procedura disiplinore ndaj zyrtareve përgjegjës”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, për shkak të të gjeturave nga auditori i brendshëm janë dhënë edhe 8 rekomandime për inicimin e procedurave disiplinore për zyrtarë të caktuar, për të cilët ka pasur të gjetura dhe dyshime të bazuara se nuk kanë vepruar sipas rregulloreve dhe procedurave në fuqi.

Sipas kontratës, blerësi, në këtë rast kompania ‘Enertech’, do të jetë përgjegjës për marrjen, ngarkimin, dhe shkarkimin e mallrave dhe do ta bëjë këtë në riskun dhe koston e tij.

Kontrata parasheh që blerësi të marrë të gjitha lejet dhe licencat nga autoritetet lokale dhe shtetërore, mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit nga kompania ‘Enertech’ nuk janë përgjigjur nëse i posedojnë  këto leje.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kjo kompani figuron se është regjistruar në janar të vitit 2020, derisa si veprimtari thuhet se ushtron “aktivitetet e ndërmjetësimit për shitjen e karburantit, mineraleve, metaleve dhe kimikateve industriale”.

Pronare me 100 përqind të aksioneve është Blenda Zhugolli, emri i së cilës figuron edhe në kontratën me KEK-un, si palë nënshkruese. Nga ana e KEK-ut, kontrata është nënshkruar nga Përparim Kabashi, ushtrues i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv. 

Të ngjashme