Kontrolli mbi Ujman, Lista Serbe i reagon Kurtit: Kurrë s’do ta sundoni veriun

Prishtinë | 09 Sht 2022 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pas nisjes së patrullimit mbi tërë Liqenin e Ujmanit nga Policia e Kosovës.

Në reagimin ndaj Kurtit, Lista Serbe thotë se janë në tokën e tyre dhe askush s’i ka thirrur.

“Duke marrë tokën serbe dhe duke ngacmuar popullin tonë, ju në mënyrë të drejtpërdrejtë po e rrezikoni paqen në këtë zonë dhe kurrë nuk do ta sundoni veriun e Kosovës”, thuhet në reagim.

Tutje, Lista Serbe thotë se as qindra forca speciale nuk do të arrijnë ta trembin popullin serb, teksa thuhet se më të bashkuar se kurrë do ta mbrojnë pragun e shtëpisë.

“Të shumtë ishin ata që u përpoqën ta skllavëronin dhe ta pushtonin popullin serb dhe të gjithë e dimë se si ia dolën. Prandaj i bëjmë thirrje mentorëve të Albin Kurtit që të mendohen shumë mirë para se t’u japin mbështetje këtyre aktiviteteve të paligjshme”, është shprehur Lista Serbe, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në komunikatë thuhet se populli serb e do paqen e lirinë, por nuk do të lejojë që të bëhet skllav në komunat e tyre.

Të ngjashme