Koordinatori Hoti viziton Medvegjën

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 10:01 | Nga Ekonomia Online

Në vazhdën e vizitave në Luginën e Preshevës, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, ka vizituar edhe Medvegjën, ku pati disa takime. Ai është pritur nga Nënkryetari i Komunës Florim Sahiti dhe ndihmësja e kryetarit Leme Xhema.

Për të parë nga afër gjendjen e arsimit të fëmijëve shqiptarë të Medvegjës, Hoti i shoqëruar nga Sahiti e Xhema, vizitoi shkollën “Zenel Hajdini” në Tupallë të Medvegjës, ku është mirëpritur nga drejtoresha, Arlinda Kadriu, stafi dhe nga nxënësit e kësaj shkolle.

Hoti ka shpalosur Programin Nacional për Rininë dhe ka bërë të ditur që ky program do t’i barazojë nxënësit e shkollave të Medvegjës me bashkëmoshatarët e tyre në të gjitha shkollat e Kosovës dhe më gjerë. “Nxënësit e kësaj shkolle ndonëse pak në numër, do ta kenë mundësinë të garojnë në mënyrë të barabartë me të gjithë nxënësit e komunave tjera, si dhe t’iu mundësohet gara në secilën kategori të dijes, kreativitetit kulturor e mendimit kritik, si dhe sportit”, ka thënë Hoti. Ai shtoi se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për t’i ndihmuar shkollës dhe nxënësve të Medvegjës.

Në anën tjetër, Sahiti e Xhema e ka mirëpritur vizitën e Kooridinatorit Hoti në Medvegjë dhe i kanë treguar atij problemet me të cilat po përballën shqiptarët e Medvegjës. Ata falënderuan Hotin që ka sjell edhe në Medvegjë Programin Nacional për Rininë.

E drejtoresha Kadriu përmendi problemet me të cilat përballet shkolla e saj si shkollë e vetme me nxënës dhe staf shqiptarë në Medvegjë. Përkundër këtyre ajo tha se do të përkushtohet për realizimin e programi edhe në shkollën “Zenel Hajdini”.

Gjatë qëndrimit në Medvegjë, Koordinatori takoi edhe këshilltarët shqiptarë të opozitës në këtë komunë, Bajram Mustafën, Femi Bejiqin, Gani Krasniqin dhe Ruhan Muharremin.

Në të gjitha takimet u theksua çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në vendlindjen e tyre, me theks të veçantë në Medvegjë, që po përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe po rrezikon substancën kombëtare shqiptare në Medvegjë.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme