Koordinimi trans-atlantik do të sjellë rezultate të prekshme në dialog

Prishtinë | 18 Jan 2021 | 18:13 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi një video-konferencë me Peter Beyer, raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës si dhe Koordinator për Bashkëpunimin Trans-Atlantik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, me të cilin diskutoi për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Ministrja Haradinaj-Stublla njoftoi z.Beyer për situatën politike në vend përpara zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit dhe për angazhimin e saj si Ministre e Diasporës në mirë-informimin e bashkëqytetarëve tanë për procesin e votimit përmes postës.

“Diskutuam edhe për procesin e Dialogut ku shpreha shqetësimin për qasjen tërësisht agresive të Serbisë, e cila po vazhdon me deklarata kërcënuese e retorik shoviniste e raciste ndaj Kosovës, duke shkelur secilën marrëveshje të arritur deri më sot, më të fundit atë të Uashingtonit, e duke bërë veprime të papranueshme për ne, siç janë arrestimi pa arsye dhe mbajtja në burg pa të drejtë e shtetasve të Kosovës”, u shpreh ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla tha se gjatë këtij bashkëbisedimi u dakordua me z.Beyer se koordinimi trans-atlantik mes SHBA-ve dhe BE-së për Dialogun do ta rigjallërojë këtë proces edhe do të sjellë rezultate të prekshme, përtej veç firmosjes së marrëveshjeve.

“E njoftova z.Beyer se edhe përkundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ne nuk kemi lënë anash në asnjë moment detyrat shtetërore dhe se jemi jashtëzakonisht vigjilent për të mos lejuar askënd që ta nëpërkëmbë shtetin tonë”, tha ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme