Korporata Energjetike e Kosovës, për gjashtë muaj tejkalon parashikimet

Prishtinë | 14 Gus 2019 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Falë angazhimit maksimal të menaxhmentit dhe punëtorëve, të gjitha njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë arritur performancë të jashtëzakonshme në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Nijazi Thaçi ka thënë se bazuar në performancën e arritur pritet që edhe në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti të tejkalohen ose dyfishohen rezultatet.

 “Këtu jemi në divizionin e minierave dhe krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, në këtë gjashtëmujor kemi rritje të prodhimit të djerrinës në mbi 20%. Në qoftë se në vitin e kaluar janë prodhuar 3.6 milionë metër kub djerrinë në vit, këtë vit ka kaluar mbi 4 milionë. Po ashtu realizimi i qymyrit që është lënda e parë për prodhimin e energjisë elektrike, ka kaluar mbi 100% nga planifikimi ose 20% nga gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar”.

“Po ashtu kemi një performancë jashtëzakonisht të mirë të blloqeve të termocentralit Kosova A dhe Kosova B. Termocentrali Kosova A edhe pse është me pajisje të stërvjetruara mbi 60 vite, disponueshmëria e tyre edhe pse ka qenë e planifikuar 50% të punës, aty kanë kaluar mbi 70% secila”, ka shtuar Thaçi.

“Pra, termocentrali Kosova A ka kaluar planin mbi 12%, ndërsa termocentrali Kosova B ka kaluar planin e prodhimit mbi 5%. Po ashtu kemi një performancë jashtëzakonisht të mirë në të gjithë sektorët e tjerë, duke përfshirë realizimin e projekteve kapitale ku në këtë gjashtëmujor kemi tejkaluar mbi 100% nënshkrimin e kontratave për projekte kapitale, çka do të thotë se e kemi rritur kapitalin e kompanisë mbi 10%. Në bazë të këtyre rezultateve që i shpreha, fitimi ose profiti i kompanisë për këtë gjashtëmujor ka arritur në 8 milionë euro”.

“Ne presim që në gjashtëmujorin e ardhshëm t’i tejkalojmë ose t’i dyfishojmë këto rezultate, për arsye që siç i kemi thënë edhe më herët, këtë vit kemi filluar remontin e blloqeve në periudhën verore. Kemi filluar në mars ku e kemi në remont bllokun B2 të Kosovës B dhe bllokun A3 të Kosovës A, të cilat tashti janë në përfundim e sipër remontet dhe në shtator do t’i kemi të gatshëm, pra nga data 1 shtator në Korporatën Energjetike të Kosovës, do t’i kemi në dispozicion të gjitha blloqet në prodhim të energjisë elektrike”, ka theksuar drejtori i KEK-ut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme