Kosnett: Kosova mbërrin sukses kur udhëheqin gratë, vetëm 18% është shkallë shumë e ulët

Prishtinë | 18 Mar 2019 | 16:00 | Nga Alban Begolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Alumnive Kosovë-ShBA (KUSA) ka organizuar ceremoninë e përmbylljes së projektit të kësaj shoqate “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta, ku u diskutua për rëndësinë e rolit të gruas në pozita vendimmarrëse dhe punësimin e grave, duke i dhënë fund diskriminimit gjinor në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ambasador i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova arrin suksese atëherë kur gratë udhëheqin dhe tregojnë suksese.

“Kosova arrin sukses kur gratë udhëheqin dhe tregojnë suksese. Gratë kanë pozita në polici, arsim, gazetari dhe në kuvend, gratë po punojnë në fushat që dominojnë meshkujt, siç është teknologjia. Një shembull i udhëheqjes së fuqishme, është këtu në sallë, e cila ka zhvilluar një fushatë të suksesshme në skenën botërore, tani është përkrahëse e fortë e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, është privilegj të punosh me të. Kur i kam parë sfidat që është përballur gruaja dhe vajza ime më kanë bërë që të kuptojë që sa është e rëndësishme të punojmë të gjithë për fuqizimin e grave kudo në botë”, tha Kosnett.

Ai tha se njerëzit që janë në pozita udhëheqëse kanë përgjegjësi për të ndihmuar brezin e ardhshëm.

“Lufta për barazi në Kosovë nuk ka marrë fund, edhe burrat që i kushtohen kësaj çështje e dinë që kjo nuk ka përfunduar. Me vetëm 18% të grave në fuqinë punëtore Kosova ka shkallën më të ultë të fuqisë pjesëmarrëse . Një vend nuk mund të ketë sukses nëse gjysma e trurit mbetet jashtë lojës. Njerëzit që janë në pozita udhëheqëse kanë përgjegjësi për të ndihmuar brezin e ardhshëm dhe të ju shtrijnë dorën atyre më poshtë me këshilla derisa ata ngjisin shkallët”, tha ai.

Shkëndije Himaj nga KUSA, tha se mungesa e mundësive të pabarabarta për gratë në vendimmarrje e pengon potencialin e gjysmës së popullsisë për të marrë një rol aktiv në fushat e politikave zhvillimore, atyre ekonomike dhe sociale.

“Nëse flasim për pabarazitë në të ardhurat në bazë të studimeve të bëra nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore “Un Women” globalisht gratë fitojnë 77 cent për çdo dollarë të fituar nga meshkujt për një punë me vlerë të njëjtë. Sipas këtyre të dhënave gratë duhet te punojnë edhe 70 vite për të barazuar këtë diferencë në të ardhurat. Nëse flasim për qasje në tregun e punës sipas të dhënave të njëjtit Agjencion,  pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore globalisht është 49 përqind, për derisa burrat janë 75 përqind. Nëse përqindja e grave do ishte e njëjtit nivel me burrat atëherë bruto produkti global do realizohej me rritje me 26 përqind deri në vitin 2020”, tha ajo.

Ajo ka folur edhe për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës në Kosovë.

“Nëse i kthehemi Kosovës, pjesëmarrja e grave në tregun e punës është 21 përqind për derisa pjesëmarrja e burrave është 61 përqind. Nëse pjesëmarrja e grave do ishte e njëjtë me burrat atëherë ndikimi në rritjen e ekonomisë do ishte substancial”, tha ajo.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se mungesa e edukimit dhe diskriminimi në baza gjinore e dekurajon gruan që të synojë pozita udhëheqëse në politikë.

“Projekti është i rëndësishëm në rrethanat aktuale të Kosovës ku ende ekziston një mungesë e mundësive të barabarta për gratë, pengon gjysmën e popullsisë që të marrë rol në shumë fusha. Pres që ky projekt t’i kontribuojë fuqizimit të rolit të gruas në Kosovës. Mungesa e edukimit dhe diskriminimi në baza gjinore e dekurajon gruan që të synojë pozita udhëheqëse në politikë. Ka ende raste që gratë pyetën për statusin familjar. Në punë gratë diskriminohen për shkak të dukjes, profesionalizmit, gjinia determinon edhe pagën”, tha Jahjaga.

Ajo ka treguar për përvojën e saj sa ishte presidente e Kosovës.

“Kur u emërova presidente mbi 50% të ekipit tim kanë qenë gra dhe vajza. Këtë vit po bëhen 20 vite prej kur ka mbaruar lufta, por Kosova nuk është ende shteti që ne kemi imagjinuar ta kemi, ne ende ballafaqohemi me shumë probleme që minojnë mundësinë për të krijuar një shtet të drejtë. Kosova është shndërruar në vend që po e braktisin , po e humbim kapitalin njerëzor, një prej kapitaleve që ky vend posedon. Po braktiset vendi për një jetë më të mirë. Sektori publik është bërë punëdhënësi kryesor. Nëse vazhdojmë me këtë trend, nuk ndryshojmë asgjë rrezikojmë të kthejmë mbrapa çdo përparim që e kemi bërë bashkërisht”, ka thënë Jahjaga.

Majlinda Lulaj, zv. Avokate e Popullit, tha se modulet të cilat i kanë ndjekur i kanë bërë ato më të forta.

“ Kemi pasur të njohim jetën e njëra-tjetrës të shohim çfarë përvoje kemi, kur kemi folur për vështirësitë dhe pengesat që kemi pasur, ngjashmëritë kanë qenë të mëdha. Në raste të tilla si ky sot, kur përmbushet një cikël i realizimit jetësor dhe profesional, ndjehemi të lumtura që jemi bashkë dhe falënderuese për mbështetjen nga KUSA, Ambasada amerikane. Modulet që kemi ndjekur na kanë bërë më të forta”, tha Lulaj.

Të ngjashme