Kosnett: Zhgënjehem kur dëgjoj për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës

Prishtinë | 19 Tet 2020 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e mbajtjes së “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, e organizuar nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se shpesh herë zhgënjehet kur dëgjon për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës.

Ai ka theksuar se e kupton që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në raste, i dëmton proceset dhe sukseset në fushën e drejtësisë, njofton Klan Kosova.

“Më lejoni të nënvizoj që respektimi i sundimit të ligjit kërkon njëtrajtshmëri të tillë dhe kjo veçanërisht është e vërtetë kur trajtohen të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit. Për këtë arsye, shpesh jam i zhgënjyer kur dëgjoj për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës”.

“Disa kryes të veprave mbahen në burg, e disa të tjerë lirohen. Disa viktima marrin ndihmë, e të tjerë lihen të kujdesen vet për vete. Disa të pandehur akuzohen për shkelje të rëndë, kurse të tjerët, që e kanë kryer veprën e njëjtë, përballen me akuzë shumë më të lehtë – disa përballen me dënime të rënda, kurse të tjerët paguajnë gjobë të papërfillshme”.

“E kuptoj që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në këto raste i dëmton proceset dhe sukseset tuaja. Rrjedhimisht, e dëmton besimin e qytetarëve”.

“Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të punoni për të siguruar që çdo viktimë, çdo rrethanë, çdo ndjekje penale dhe çdo dënim,  të trajtohet me dinjitetin dhe rëndësinë e njëjtë. Sigurohuni që drejtësia të zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë”.

Kosnett ka shtuar se madhështia e një populli gjykohet nga mënyra se si ai popull i trajton qytetarët më të brishtë të shoqërisë.

“Prandaj, të gjithë të mbijetuarit që i kanë raportuar rastet, të gjithë ju që e keni shtrirë dorën e kujdesit, si dhe të gjithë ju që keni luftuar për drejtësi, e keni respektin tim – ju po e ndihmoni Kosovën që ta arrijë atë madhështi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme