Kosova bëhet gati t’i kthejë edhe rreth 100 persona tjerë të mbetur në Siri

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për t’i kthyer në Kosovë rreth 100 shtetas të tjerë të Kosovës të cilët gjenden në Siri, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ministri në detyrë, Mustafa, tha se nuk mund të japë shumë detaje, por aktualisht po zhvillohen bisedime me Turqinë rreth kthimit të këtyre personave.

“Në detaje nuk mund të prononcohem. Por, tash jemi shumë të interesuar me shtetin turk, mos ndonjë nga personat (kosovarët) që kanë qenë nëpër kampe ka kaluar në pjesën turke”, tha Mustafa.

“Përafërsisht dihet numri, por nuk është numër i madh tash, sepse 110 i kemi sjellë në Kosovë. Aty diku sillet edhe numri i personave të tjerë (që pritet të kthehen)”, thotë Mustafa.

Në muajin prill të këtij viti, institucionet kthyen në Kosovë 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë që ishin pjesë e organizatave terroriste në Siri, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Ministri Mustafa tha se institucionet kanë informacione për personat që gjendën në Siri dhe që pritet të kthehen në Kosovë. Sipas tij, në këtë grup ka më shumë luftëtarë për dallim prej operacionit të parë të realizuar në muajin prill, përmes së cilit në Kosovë ishin kthyer vetëm katër luftëtarë.

“Në kontingjentin e dytë ka më shumë persona që kanë marrë pjesë në luftë, por megjithatë më shumë ka fëmijë dhe gra”, tha Mustafa.

Kthimi i 110 kosovarëve në muajin prill ishte bërë përmes ndihmës së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme