Kosova dhe Shqipëria konkretizojnë bashkëpunimin në bujqësi

Elbasan | 26 Nën 2021 | 13:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova dhe Shqipëria e kanë konkretizuar bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë.

Ky Memorandum Mirëkuptimi është nënshkruar sot nga Ministri i MBPZhR-së, Faton Peci dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Shqipërisë, Frida Krifca, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që u mbajt sot në Elbasan.

Ministri Faton Peci, ka treguar se me nënshkrimin e këtij Memorandumi, do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në mes të dyja shteteve, duke e parë këtë sektor si një nga potencialet kryesore për zhvillimin e dy vendeve.

”Do të bashkëpunojmë në përafrimin e Politikave të Përbashkëta Bujqësore,  në shkëmbimin e informatave dhe përvojave në zhvillimin e sistemeve operacionale të zbatimit për përdorimin e fondeve të para anëtarësimit të BE–së dhe fondet për zhvillim rural të pas–anëtarësimit, si dhe në Zhvillimin e Sistemit të Gjithmbarshëm të Kontrollit dhe Administratës së Integruar. Krahas kësaj, përmes këtij memorandumi do të angazhohemi për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare duke hequr tarifat e kontrollit për import – eksportet, dhe angazhimin për mos rritjen e tarifave të tjera në të ardhmen”, ka theksuar Ministri Peci. Ndër tjerash, ai potencoi se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve do të orientohet edhe në fushën e agroturizimit, blegtorisë, vreshtarisë dhe verëtarisë.

Në anën tjetër, Ministrja Frida Krifca, vlerësoi se me këtë Memorandum përcaktohet angazhimi për mbështetjen dhe inkurajimin e përbashkët në marrjen e masave të duhura në pajtim  me  legjislacionin përkatës në fuqi për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit reciprok të dobishëm për të dyja palët. “Me këtë Memorandum do të angazhohemi në shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes së resurseve peshkore, në shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian, në shkëmbimin e informatave teknike dhe ekspertëve në fushën e koordinimit  të asistencës së jashtme, menaxhimit të procesit të Integrimit Evropian, ndërtimin dhe fuqizimin e strukturave të angazhuara në këto procese”, theksoi Ministrja Krifca.

Po ashtu, ajo theksoi se krahas gjithë këtij bashkëpunimi, do të orientohen edhe  në shkëmbimin e ekspertëve në lidhje me projekte mbi programet analitike, si dhe në shkëmbimin e përvojave rreth integrimit të gruas fermere, si dhe mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së saj në veprimtaritë e ndryshme bujqësore.

Lexo më shumë:

Të ngjashme