Kosova dhe Shqipëria pa agjendë të përbashkët për procesin integrues

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 12:12 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Shqipërisë për Konkurrueshmëri dhe Tregti Ndërkombëtare (ACIT) dhe Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), kanë prezantuar studimin lidhur me bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në fushën e integrimit Evropian, raporton EkonomoaOnline.

Aty u tha se Kosova dhe Shqipëria duhet ta kenë një agjendë të përbashkët për procesin e integrimit evropian.

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Shqipëria e Hapur, tha se drejtimi i dy shteteve drejt procesit të integrimit evropian, hap rrugën për bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe organizatave mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ky projekt që ne po e inaugurojmë është pjesë e një projekti më të madh që lidhet me vlerësimin e marrëdhënieve të dy vendeve sidomos në këto 15 vitet e fundit. Pjesa e integrimit po bëhet gjithmonë më e rëndësishme pasi është e vetmja spirancë kur ne ankorohemi për veprim të demokracisë. Bashkëpunimi sa i përket pjesës së integrimit evropian ka lënë shumë për të dëshirua. Përveç koordinimit institucional që ka bashkëpunim është e rëndësishme që ka edhe një bashkëpunim mes shoqërive civile. Pjesa e integrimit evropian merr një pjesë të një rëndësie të madh, Kosova dhe Shqipëria nuk besoj që janë vende që kanë një plan B, drejtimi ynë i vetëm është integrimi evropian, besoj që kjo të hap udhën edhe për bashkëpunime të tjera ndërmjet organizatave të Kosovës dhe Shqipërisë dhe synimi ynë është që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme”.

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i institutit “Epik”, tha se pengesë sistematike e rrugës integruese të Kosovës është gjetja e një vullneti politik për reforma publike, duke shtuar se përveç mosnjohjes së Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, Be-ja ka bërë një fizkulturë duke e ofruar marrëveshjen e stabilizim asociimit.

“Një nga sfidat sistematike është mosnjohja e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, përkundër kësaj mosnjohje Be arriti të bëjë një fizkulturë me ofrimin e marrëveshjes e stabilizim asociimit. E dyta është mungesë e dëshmive për një sinqeritet politik për të ndërmarrë reforma serioze për Kosovën. Qe nga shpallja e pavarësisë nuk mund të gjejmë ndonjë fakt ku ndërmarrësit politik kanë ndërmarrë hapa për integrimin e Kosovës. Në Shqipëri shohim që ky vend ka ndërmarrë një reformë të thellë në sistemin gjyqësor. Pengesë sistematike e rrugës integruese të Kosovës është gjetja e një vullneti politik për reforma publike. Ajo çka kanë bërë dy vendet në përkthimin e legjislacionit të BE-së është një storie e suksesit për të dy vendet. Aspekti i dytë i këtij bashkëpunimi është replikimi i bursës Young Scheme Cell”, tha Shasha.

Ndërsa Gentian Elezi, ekspert i çështjeve për integrime evropiane në Shqipëri, tha se një element me të cilin duhet ta qojnë përpara procesin e integrimit evropian Kosova dhe Shqipëria, është përmirësimi i qasjes në komunikim me vendet anëtare të OKB-së.

“Pika kyçe ka të bëjë mes ndryshimeve të raporteve të komisionit dhe vendeve anëtare të këshillit, ne duke i analizuar këto ndryshime ne duhet të përshtatemi në këtë situatë. Një element tjetër është përmirësimi i komunikimit me vendet anëtare, duhet një ndryshim i qasjes në komunikim me vendet anëtare. Duhet të ndryshojë dukuria e takimeve nga përfaqësuesit tanë. Të dy shtetet duhet të kenë kujdes në përdorimin e fondeve që vijnë nga BE-ja”.

Arbëresha Loxha nga GLPS-ja, tha se Kosova dhe Shqipëria ende nuk kanë agjendë të përbashkët për të ecur përpara me procesin integrues.

“Ani pse ne në Kosovë e kemi një konsensus shoqërorë sa i përket anëtarësimit në BE, ne nuk e kemi një agjendë të përbashkët dhe mirëfilltë për të ecur përpara në procesin integrues. Një dimension i rëndësishëm është qëndrimi i vendeve anëtare të Be-së drejtë politikave të zgjerimit. Mbajtja e premtimeve nga ana e Be-së është qenësore për disa arsye pasi nëse nuk i përmbahemi kërkesave publike kjo ndikon në perceptimin karshi kërkesave që Be i ka në publik për vendin tonë”, tha ajo.

Të ngjashme