“Kosova dhe shqiptarët në trojet e veta do ta realizojnë të drejtën e vet”

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Kompozicioni i shtatores së tre liderëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është përuruar të dielën në Prizren nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, në ceremoninë ku kanë marrë pjesë edhe liderët politikë nga trojet shqiptare.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ku të pranishëm kanë qenë edhe ministra, deputetë, udhëheqës fetarë, dhe shumë personalitete të tjera, si dhe qytetarët e Komunës së Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.

Me këtë rast përfaqësuesit shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria kanë përçuar porosinë për mosheqjen dorë nga e drejta e shqiptarëve, pastaj nevojën për forcimin e bashkëpunimit dhe të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në interes të prosperitetit të kombit dhe perspektivës së tij evropiane.

Përderisa është përkujtuar sakrifica e Skënderbeut, rilindësve kombëtarë, me theks të veçantë e Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit, pastaj e UÇK-së, është theksuar se Kosova është vetë udhërrëfimi i qartë i kombit shqiptar dhe njëkohësisht izolimi i qytetarëve të saj është vlerësuar si i pakuptimtë.

Zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës dhe Shqipërisë fillimisht kanë zbuluar dhe kanë bërë homazhe tek shtatoret e tre liderëve të Lidhjes, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi.

Të ngjashme