“Kosova dhe Ukraina do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”

Prishtinë | 25 Pri 2017 | 17:54 | Nga

Është u mbajtur konferenca “Ukraina 2017- 3 vite pas Euromaidan . Zhvillimi i reformave të mëdha gjatë tri viteve të egra të pushtimit të Krimesë dhe të Donbas”

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se është e rëndësishme të ndihmojmë dhe të bashkëpunojmë mes vete për shkak që, sipas tij, edhe pse si shtete kemi dallime në madhësi, megjithatë, sfidat dhe problemet i kemi të ngjashme.
”Ne jemi shtet i vogël, kurse Ukraina është e madhe, por edhe përkundër kësaj është shumë e rëndësishme që të mësojmë nga njëri-tjetri në aspekte të ndryshme, sidomos në atë politik”, vlerësoi Hajrizi.

Koordinatori i Komitetit austriak për Ukrainën evropiane, Gunther Fehlinger, duke shpjeguar për zhvillimin e reformave në Ukrainë, si dhe bashkëpunimin Kosovë-Ukrainë, potencoi se Kosova dhe Ukraina do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
“Me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve, BE mund të bëhet një organizatë e fuqishme, duke i përfshirë të gjitha vendet që aktualisht janë duke bërë përpjekje që të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane”, tha Fehlinger.

Kryetarja e Odës Ekonomike e Ukrainës, Elvira Sevostianenko theksoi se izolimi me të cilin aktualisht po përballen shtetet e Evropës në fushat të caktuara nuk po i prek vetëm ato fusha në të cilat edhe janë të izoluara, por edhe procesin e mbarëvajtjes së zhvillimit të tërësishëm të atij shteti. “Kjo është një sfidë jo vetëm për ato shtete të cilat po sfidohen nga kjo politikë, por me këtë sfidohet edhe gjithë njerëzit në aspektin ekonomik, të cilët duan të gjejnë një vend pune ose një biznes, por që nuk lejohen nga këto kushte”, konstatoi ajo, teksa shtoi se, “qëndrimi karshi Kosovës ka ndryshuar sepse tani njerëzit janë më të hapur, më të aftë dhe më profesionistë në punën që e bëjnë, andaj kjo shërben si pikënisje për fillimin e një bashkëpunimi ndër personal e institucional”, tha Sevostianenko.

Kryetar i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi vlerësoi se Ukraina edhe në nivel qeveritar, që nga vitet e luftës ka qenë përkrahëse e Kosovës, prandaj sipas tij, ky përsëri mund të jetë një partner shumë i mirë për Kosovën.
”Një bashkëpunim mes vendeve të ndryshme në aspektin ekonomik, do të sillte ndryshime edhe në fushën politike sepse zakonisht, pengesat ekonomike vijnë nga ato politike”, pohoi Zusi.

Drejtori ekzekutiv i CEOKO-it, Bekim Xhafa, duke shkëmbyer përvoja të ndryshme gjatë përvojës së tij, tha se ai beson në krijimin e raporteve dhe platformave të komunikimit ndërnjerëzor, në mënyrë që, sipas tij, kjo platformë e komunikimit të arrijë deri në aspektin biznesor.
”Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që ta shtrijmë këtë komunikim edhe në Kosovë, përmes realizimit dhe organizimit të ekspozitave të ndryshme, si një filozofi e punëve që do të realizohen”, tha ai.
Kjo konferencë është hapi i parë për trajtimin dhe rikujtimin e së kaluarës së përbashkët e vendeve të Evropës, me qëllim të përgatitjes për një të ardhme të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku specifikisht do të trajtohet ndikimi dhe mbështetja e Austrisë për promovimin e stabilitetit në Ballkan, si dhe zhvillimi i bashkëpunimit mes Ukrainës dhe vende të Ballkanit për pranim në BE, si dhe për të bashkëpunuar në tregti, investime dhe qasje në BE, përgjatë viteve që po vijnë.

Të ngjashme