Kosova e Bosnja bisedojnë për mundësinë e heqjes së vizave

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 16:21 | Nga

Paqja rajonale, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik, dhe rruga e përbashkët evropiane e të dyja vendeve, ishin temat e diskutimit në takimin bilateral që kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

“Kosova ka interes të ketë bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit dhe Bosnja dhe Hercegovina është një nga vendet me të cilat ne duhet të kemi partneritet korrekt politik dhe ekonomik. Ne na pret një rrugë e përbashkët, rruga evropiane”, tha Haradinaj, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ndërkaq, Zvizdiq tha se ndërtimi i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet një synim i përhershëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, bashkë me bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve.

Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e heqjes së vizave në mes të dyja vendeve, si një hap i domosdoshëm për zhvillimin e raporteve ekonomike, por njëkohësisht edhe për lëvizjen e lirë të shumë qytetarëve, familjarë që jetojnë në Kosovë dhe në Bosnje.

Takimi i sotëm në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq u zhvillua në margjinat e Samitit të Parë Digjital të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë.

Të ngjashme