Kosova ende nuk ka dërguar mostrat për Coronavirusin e ri

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 19:59 | Nga Ekonomia Online

Në kohën kur shtetet e rajonit kanë regjistruar rastet e para të koronavirusit të ri, Kosova ende nuk i ka dërguar mostrat e para për testim jashtë vendit për të parë nëse vendi ka ndonjë të infektuar me variantin e ri të koronavirusit.

Zyrtarë të IKSHPK-së kanë thënë se për shkak të festave këto mostra do të dërgohen në ndonjërën prej shteteve të Evropës në fund të kësaj jave.

Një ditë më parë Greqia njoftoi se ka shënuar rastet e para me koronavirusin e ri.

Varianti i ri i koronavirusit është detektuar për herë të parë në Anglinë jugore në mes të dhjetorit, duke alarmuar mjekët dhe autoritetet britanike për shkak se shpërndahet shtatëdhjetë për qind më shpejt dhe më lehtë. Kjo bëri që shumë shtete t’i ndalonin të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe dhe rreth saj.

Sipas të dhënave të para të shkencëtarëve britanikë, virusi ka pësuar 25 mutacione të tjera.

Ndërsa shkencëtarët dhe mjekët kanë shprehur shqetësimin se antitrupat nga gjaku i të mbijetuarve janë më pak efikas në luftimin e variantit të ri të virusit.

Ata kanë paralajmëruar se për këtë duhet bërë studime më të hollësishme.

Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 169 raste të reja me Covid-19, ndërsa 313 janë shëruar.

7 persona kanë vdekur, në mesin e tyre edhe një 19-vjeçare nga Mitrovica, e cila ishte në pritje të transplantimit të veshkës.

QKUK-ja përmes një përgjigjeje ka konfirmuar se ajo ishte trajtuar në Spitalin e Mitrovicës e më pas ishte dërguar në Klinikën Infektive, dhe pas përkeqësimit të gjendjes ishte transferuar në mjekimin intensiv, por që nuk arriti të mbijetojë.

“Rasti në fjalë fillimisht ishte trajtuar në Spitalin e Mitrovicës, pastaj në Klinikën Infektive, ku ishte konfirmuar si Covid pozitiv nga Laboratori i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. E njëjta për shkak të përkeqësimit të gjendjes ishte transferuar në Mjekimin Intensiv-Covid, por përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor nuk kishte arritur të mbijetonte”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Në Kosovë deri më tani mbi 52 mijë persona janë infektuar, ndërsa mbi 7 mijë mbesin raste aktive.

Ndërsa deri tash 1.351 persona kanë vdekur nga Covid-19./KTV

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme