Kosova ka regjistruar raste të dyshimta të ri-infektimit me Coronavirus

Prishtinë | 22 Jan 2021 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Kosova është në mesin e vendeve që kanë regjistruar raste të personave që dyshohet se u infektuan dy herë me koronavirus brenda disa muajve.

Ndonëse nuk ka dhëna të sakta, nga Klinika Infektive dhe ajo e Pulmologjisë është thënë se kanë trajtuar pacientë të cilët dy herë, në periudha të ndryshme kohore, kanë rezultuar pozitivë në testet për Covid 19.

Drejtoresha e Infektives, Lindita Ajazi-Berisha, tregon se ata pacientë që herën e parë nuk kanë pasur manifestime klinike ose i kanë pasur të lehta, herën e dytë kur kanë rezultuar pozitivë kanë qenë në gjendje më të rënduar dhe kanë pasur nevojë për hospitalizim.

“Kemi pasur raste kur kanë rezultuar pozitivë për herë të dytë. Ka ndodhë që herën e parë nuk kanë pasur fare manifestime klinike, ndërsa herën e dytë më të rënda dhe kanë qenë të hospitalizuar këto raste, për momentin kanë shkuar mirë. Nuk kemi të dhëna se sa është numri i tyre. Por kemi raste të cilët që kanë gjatë muajit dhe nuk është punu serologjiku nuk kemi ditë a kanë anti ritupa por kanë rezultuar me Sars Cov 2 në periudha kohore janë të ndryshme”, ka deklaruar Ajazi-Berisha.

Pulomologët në Klinikën e Pulmologjisë gjithashtu konfirmojnë se kohëve të fundit kanë trajtuar pacientë të cilët brenda disa muajve dy herë kanë rezultuar pozitivë në testet për Covid 19.

Por ata kanë dilema nëse këto raste duhen trajtuar si ri-infektim.

“Kemi pasë raste individuale, jo shumë të shpeshta, por i kemi detektuar disa raste individuale ku kanë ardhur pacientë për herë të dytë, me test për herë të dytë. Domethënë kanë qenë të testuar më herët dhe tani për herë të dytë përsëri. Këto raste të themi të drejtën ende nuk kemi vendosë a t’i cilësojmë si ri-infeksione, apo janë kontaminime të mostrave apo kanë qenë vetëm ekspozim i serishëm i pacientit ndaj të infektuarve dhe si pasojë ka dalë testi pozitiv”, është shprehur Besim Morina, pulmolog në Klinikën e Pulmologjisë.

Megjithatë, sipas Morinës, ri-infektimi është vështirë të detektohet, ndërsa më të rrezikuarit thotë se janë personat që nuk kanë arritur të krijojnë antitrupa herën e parë.

“Ri-infeksioni mendojmë që i prek ata më shumë që nuk kanë krijuar imunitet të mjaftueshëm herën e parë . Ende është herët të arrihet në këtë përfundim por mund të themi se pacientët të cilët kalojnë Covidin dhe nuk kanë antitrupa të mjaftueshëm këtu hyjnë antitrupat të caktuar jo niveli i përgjithshëm i antitrupave por ai neutralizues ata që veprojnë vetëm ndaj Covidit”, ka shtuar Morina.

KOHA ka pyetur edhe IKSHPK-në nëse gjatë testimeve të saj gjatë këtyre muajve ka evidentuar pacientë të cilët kanë rezultuar pozitivë për herë të dytë, por ata nuk kanë ofruar të dhëna.

Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK, Xhevat Jakupi, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se ata nuk janë duke i përcjellë rastet që potencialisht mund të jenë të ri-infektuar, pasi që nga aspekti laboratorik nuk paraqesin ndonjë ndryshim në procesin diagnostik.

“Në kuadër të Departamentit të Mikrobiologjisë nuk jemi duke i përcjellur rastet që potencialisht mund të jenë si ri-infeksione, pasi që nga aspekti diagnostik laboratorik me Real Time PCR nuk paraqesin ndonjë ndryshim në proces të diagnostikës. Për të dhëna epidemiologjike do të duhej të kontaktoni Departamentin e Epidemiologjisë në IKSHPK, ndërsa për të dhëna klinike, Klinikën Infektive në mënyrë parësore por edhe klinikat e quajtura COVID që merren me trajtimin e rasteve”, thuhet në përgjigjen e Jakupit.

Në botë deri më tani është raportuar për dhjetëra raste të ri-infektimit me Covid 19.

Ndërsa së fundmi, një studim i ri i publikuar ditë më parë nga Shëndeti Publik në Angli ka bërë të ditur se shumica e personave që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19 janë të mbrojtur nga ri-infektimi për të paktën pesë muaj.

Sipas këtij studimi, ndonëse imuniteti tek ata që kanë qenë të infektuar ka zgjatur më gjatë sesa që mendohej, mbrojtja nga virusi nuk është absolute.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme