Kosova kërkon ndalimin e trenit të nisur nga Beogradi për në Mitrovicë

Prishtinë | 14 Jan 2017 | 14:13 | Nga

Mediat në Beograd kanë raportuar se një tren i Serbisë është nisur në drejtim të territorit të Kosovës.

Në përcjelljen e këtij treni ishte edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, por ai pastaj ka zbritur, ndërsa udhëtimin me këtë tren e ka vazhduar zëvendësi i tij, Dushan Kozarev, dhe drejtori i hekurudhave të Serbisë, Mirosllav Stojçiq, raporton agjencia Beta.

Pjesa e jashtme e trenit është e dekoruar me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është serbe”.

Autoritetet në Kosovë këtë linjë hekurudhore e kanë quajtur ilegale dhe si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.

Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kjo është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën.

Ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta ndalë trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës.

“Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve”, ka thënëTahiri dhe ka shtuar se “Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndal Serbinë”.

Deputetë të opozitës në Kosovë kanë hedhur kritika të ashpra në adresë të Qeverisë së Kosovës për lejimin e qarkullimit të trenit nga Beogradi për në Mitrovicë.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në facebook ka thënë “se nuk mund të pritet heqja e murit dhe ndalimi i trenit nga një Qeveri, siç shkruan ajo që është e nënshtruar karshi Serbisë”.

“Në fakt është e njëjta që ka ndihmuar Serbinë në realizimin e këtyre projekteve që kanë për qëllim ndërhyrjen në sovranitet dhe ndarjen e vendit, ngjashëm po vepron edhe me ‘Zajednicen’. Egërsinë e së njëjtës e shohim vetëm kundrejt opozitës dhe qytetarëve kur ne angazhohemi dhe protestojmë në mbrojtje të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.

Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, tani kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka propozuar masa reciprociteti me Serbinë.

“Treni u nisë, pasi nuk kemi mënyrë/gatishmëri ta ndalim trenin, mund të ndalim në Doganë kamionët e Serbisë dhe mallin serb. Më shumë se 1 milion euro në ditë Serbia shet në Kosovë. Le të zgjedhin midis trenit ilegal apo 400 milionë eurove të humbura. E shteti kosovar të tregojë që interesi i shtetit është mbi interesin personal”, ka shkruar në profilin e saj në facebook Mimoza Kusari – Lila.

E, institucionet e Kosovës nuk administrojnë me hekurudhat në veri të vendit.

Administrimi mbi këto hekurudha nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, nga ajo periudhë, linjat hekurudhore në veri janë nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë, nga ekspertë të kësaj fushe shumë herë është konsideruar e nivelit jo të mirë, që sipas tyre, për një modernizim të hekurudhave investimet janë të domosdoshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme