Kosova me 30 lloje të inspektoratit, punëtorët ende të pambrojtur

Prishtinë | 30 Tet 2018 | 11:13 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosovës po i shtohet numri i të lënduarve në punë derisa mungesa e inspektorëve është e dukshme u tha në tryezën e organizuar në  kuadrin e platformës ‘Kosova që duam’ në fushën “punë dhe jetë të dinjitetshme”, nga Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale dhe Fondacioni FriedrichEbertStiftung (FES)  me temën “Mekanizmat Institucional për mbrojtjen e punëtoreve”.

Besnik Muçaj nga Instituti KLGI tha se është momenti i fundit që në kuadër të procesit të reformave të fuqizohen mekanizmat institucional të vendoset rregull në fushën e mbrojtjes së punëtorëve, raporton EkonomiaOnline.

“Ne kemi 30 lloje të inspektoratit, dhe mungesa e një standardi të inspektoratit pengon edhe  bizneset. Një strukturim dhe dakordim i përbashkët, i shërben një procesi më dinamik, një kontrolli të përhershëm. Në anën tjetër shteti nuk i ka eksploru të gjithë mekanizmat e vet për zbatimin e kontratave. Kemi numër të madh të shërbimeve që kërkohen nga institucionet. Kamerierët që punojnë nëpër institucione është e jashtë logjikës të mos kenë kontrata. Është momenti i fundit që me procesin e reformës së inspektorateve të vendoset rregulli dhe të ulet informaliteti në shoqëri,” tha Muqaj.

Besa Luzha nga instituti Friedrich Ebert Stiftung kërkoi edhe nga institucionet lokale të përfshihen në mbrojtjen e punëtorëve.

“Kemi vërejtur  që rastet e lëndimeve në punë po shtohen. Dhe kështu kemi pasur situata  që kanë ndodhë në kohët e fundit, kanë dalë nga kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për të siguruar siguri dhe shëndet në vendin e punës. Shpresojmë që do arrijmë që edhe institucionet lokale të përfshihen në përmirësimin e gjendjes,” deklaroi Luzha.

Avni Ajdini nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës tha se këtë vit është shtuar numri i të lënduarve në punë dhe për këtë duhet të bëhet më shumë nga institucionet përgjegjëse.

“Duhet të diskutojmë se si të zbutet ky fenomen.  Këtë vit kemi 20 raste  me fatalitet, numri më i madh i fataliteteve është në ndërtimtari dhe këto tryeza janë të mira, por të shkojmë edhe në vendin e punës sepse kështu rritet edhe vetëdija dhe është preventiva më e mirë.  Çdo ditë po na ndodhin rastet. Ndodhin rastet gjithkund në botë, por jo sikurse në Kosovë që për dy dërrasa e humbë jetën, këto nuk falen, ne duhet me çdo kusht të punojmë që ta ulim këtë dukuri negative. Marrëveshje kolektive është me Kushtetutë që të zbatohet, inspektorët thonë po, por unë them jo sepse inspektorët nuk po e dinë se punëtorëve iu shkruan 8 orë dhe ata punojnë 12 orë,” është shprehur Ajdini në tryezë.

Çerkin Dukolli zëvendësministër në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se janë duke punuar në terren që të ulet numri i të lënduarve në vendin e punës, raporton EO.

“Ajo që është me rëndësi se vendi ynë ka krijuar bazë të mirë legjislative që e siguron këtë aspekt. Si Ministri e Punës jemi në themelimin e Projektligjit të punës dhe inspektorateve, është në procedim e sipër marrëveshja e përgjithshme e kontratës kolektive, është nënshkruar me partnerët social dhe mundësit që në takimet e radhës ta miratojë atë risitë që sjell kjo marrëveshje, përfshirja e plotë e sektorit publik dhe privat,” sqaroi Dukolli.

Ai thotë se janë duke punuar edhe në reformimin e legjislacionit pensional.

“Përkundër punës dhe anagzhimit tonë si ministri, inspektoratit dhe institucioneve, edhe punëdhënësit tonë në atë publik dhe privat prapë është evident se nuk jemi në nivel të duhur dhe po marrim angazhime shtese në aspektin ligjor dhe ekzekutiv. Respektimi i kontratës është obligim i secilit punëdhënës dhe respektimi i të drejtave dhe detyrimeve ligjore, e mbështesim inspektoratin e punës,” tha ai.

“Janë shtuar aksidentet në vendet e punës dhe në këtë drejtim si ministri po marrim angazhime konkrete që kjo gjendje të përmirësohet. Kemi licencuar po këtë vit, ministria ka realizuar tre fushata inspektive në sektorin e ndërtimtarisë. Me angazhimet ditore dhe këshilli nacional në punë kemi realizuar shumë vizita dhe kemi identifikuar se ndërtimtaria është sektori që më së shumti paraqet rrezikshmëri më të lartë. Janë bërë inspektime në Prishtinë. Bashkëpunojmë ngushtë me te gjithë.”

Nga të dhënat që publikohen del se gjendja është e njëjtë edhe në vendet e rajonit. Në tryezë u tha se duhet dhe do të rritet numri inspektorëve.

Të ngjashme