Kosova merr pjesë në panairin e librit në Leipzig të Gjermanisë, MKRS përkrahë botuesit kosovar në këtë panair

Prishtinë | 23 Mar 2019 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Kosova për herë të parë këtë vit po merr pjesë në  Panairin e Librit në Leipzig të Gjermanisë.

Në mesin e 3,000 botuesve nga Gjermania dhe vende e tjera të botës, këtë vit edhe autorët kosovarë me veprat e tyre të ndryshme, e kanë mundësinë ti prezantojnë botimet e tyre në këtë panair.

E gjithë kjo sipas këshilltarit të lartë politik në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Samir Hoxhës, po bëhet me përkrahjen e këtij dikasteri, i cili i ka dhënë mbështetje Biblotekës Kombëtare të Kosovës, e cila në stendën e saj në Panairin e Librit në Leipzig, do të prezantojë botimet më të reja nga Kosova, shkruan Ekonomia Online.

“Republika e Kosovës për herë të parë sivjet është duke prezantuar me stendë në Panairin e Librit në Leipzig.

Panairi në Leipzig njihet edhe si Panairi i Autorëve dhe Europës Lindore dhe Juglindore është edhe pse me përmasa më i vogël sesa në Frankfurt është në fokus të jetës kulturore gjermane dhe europiane çdo pranverë. Me rreth 200.000 vizitorë dhe 3000 botues nga Gjermania dhe vende të ndryshme të botës, sivjet Kosova është risia e këtij Panairi.

Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës sivjet ka përkrahur Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e cila në stendën e saj do të prezantojë botimet më të reja nga Republika e Kosovës.”

Ndryshe Hoxha gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, ka takuar edhe drejtorin e këtij panairi Oliver Zile, ku në emër të Ministrit Kujtim Gashi e ka ftuar Zilen në vendin tonë ku pritet të diskutohet për hapat përfundimtar drejt anëtarësimit zyrtar të Kosovës në TRDUKI.

“Gjatë qëndrimit në Gjermani së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës z. Beçë Cufaj, pata kënaqësinë që ta takoj Drejtorin e Panairit të Librit në Leipzig, z. Oliver Zile.

E falenderova z. Zile për ofrimin e mundësisë për vendit tonë për të marrë pjesë në panairin e librit në Leipzig me autorët dhe stendën e posaçme.

Po ashtu në emër të Ministrit Gashi e kam ftuar z. Zile për vizitë në Kosovë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm, me theks të veçant për të diskutuar edhe për hapat përfundimtar drejt anëtarësimit zyrtar të Kosovës në TRDUKI.

Drejtori Zile ka përgëzuar pjesmarrjen e Republikës së Kosovës në këtë Panair, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të pranisë së Kosovës në këtë Panair dhe duke theksuar që ai dhe ekipi i tij drejtues edhe në të ardhmen do të bëjnë çdo gjë për të ndihmuar praninë e vlerave kulturore të Kosovës në këtë Panair.

Paraqitja e Kosovës sivjet nuk është e rastësishme por nga ky vit, vendi ynë do ta shëndërrojë në traditë pjesmarrjen e vendit tonë në këtë Panair të rëndësishëm të Librit ku sidomos autorët luajnë një rol të rëndësishëm me prezantimet e tyre.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme