Kosova në mes të Perëndimit dhe Turqisë për Lëvizjen e Gulenit

Prishtinë | 19 Shk 2021 | 21:14 | Nga Ekonomia Online

Kërkesa e ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan që Kosova të listojë Lëvizjen Hizmet të Fethullah Gulenit (Turqia i referohet me akronimin FETO) në listën e organizatave terroriste, po shihet me shqetësime nga njohësit e fushës së sigurisë në Kosovë.

Kervan, të enjten, në mbledhjen e qeverisë kërkoi që krahas Lëvizjes së Fethullah Gulenit, në listën e organizatave terroriste të futen edhe Partia e Punëtorëve të Krudistanit (PKK) si dhe organizata ushtarake Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG).

Në mbledhje të qeverisë nuk pati ndonjë vendim për këtë propozim, përveç se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i kërkoi sekretariatit që kërkesa e ministrit Kervan t’i bartet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë për shqyrtim.

Radio Evropa e Lirë ka provuar gjatë së premtes që të kontaktojë me ministrin në detyrë, Kervan për të marrë më shumë informacione për këtë kërkesën të tij, por ai nuk është përgjigjur në telefonatat e as mesazhet e lëna në telefon.

REL-i ka kontaktuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka për të pyetur se cilat janë rreziqet që i kanosen Kosovës nga Lëvizja e klerikut Gulen.

Damka nuk ka komentuar gjatë por tha se këto organizata paraqesin rrezik për Kosovën.

“Organizata FETO, organizatat PKK dhe YPG, në botë veç janë shpallur si organizata terroriste. Jo që ne e kërkojmë të shpallen, por janë shpallur, veç ekzistojnë këto që janë terroriste, por Enisi (ministri në detyrë, Kervan) ka thënë se në këtë raport duhet të përfshihen si rrezik në Kosovë”, tha Fikrim Damka.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, thotë se Kosova duhet t’i harmonizojë politikat e fushës së sigurisë me aleatët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai thotë se institucionet duhet konsultuar paraprakisht me SHBA-në dhe BE-në, para se të marrin ndonjë vendim për shpalljen terroriste të ndonjë organizate, në këtë rast, Lëvizjes Hizmet, të klerikut Fethullah Gulen.

Kosova veprimet e saja ndaj kërkesave të Turqisë nuk duhet t’i bëjë në mënyrë impulsive, pa ndonjë konsultim paraprak edhe me aleatët e tjerë perëndimorë që ka Kosova. Kjo për shkak se Kosova nuk guxon të antagonizohet tutje në arenën ndërkombëtare, në këtë rast karshi aleatëve tanë kyçë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme mbështesin shtetndërtimin e Kosovës”, thotë Vrajolli.

Vrajolli thotë se Kosova ka partneritet të rëndësishëm me Turqinë, mirëpo çdo presion që i bënë Kosovës, nuk është në frymën e marrëdhënieve të shëndosha që ekzistojnë në mes të të dyja shteteve.

sh-anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica thotë se asnjë organizatë nuk mund të shpallet terroriste, pa pasur ndonjë dëshmi për përfshirjen e saj në veprimtari terroriste.

Sa i takon kërkesës së ministrit Enis Kervan që Lëvizja e Fethullah Gulenit të listohet si organizatë terroriste, Reçica thotë se me këtë çështje duhet të merret legjislatura e ardhshme.

“Parimisht nuk mendoj që do të duhej që organizatat e tilla që nuk ka dëshmi, që janë pjesë e ndonjë veprimi të skajshëm ose ndonjë veprimi terrorist, të shpallën të tilla. Mirëpo, kjo çështje duhet të mbetet në legjislaturën e re dhe duhet të trajtohet pasi që të shihet dokumenti”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme