Kosova pajtohet që të ketë “stickersa” në vend të tabelave, Serbia insiston të vazhdojnë targat KM

Prishtinë | 29 Sht 2021 | 19:47 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është arritur një marrëveshje në parim mes palëve për situatën sa i përket targave.

Ai ka thënë se është arritur një draft final e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe. Bislimi ka thënë se sipas marrëveshjes, pritet që nga dita e hënë të vendosen stikersat në vend të targave, ndërsa do të caktohet një grup punues për të gjetur zgjidhje të përhershme rreth targave brenda gjashtë muajve. Po ashtu pritet që Policia e Kosovës të zëvendësohet me KFOR-in në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final. Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendsohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka thënë ai.

Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Bislimi sot në Bruksel ka zhvilluar takime me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Në Bruksel gjendet edhe drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Palët kanë zhvilluar takime individuale me Lajçakun, ndërsa ende nuk ka pasur një takim trepalësh.

Të ngjashme